Sot, Dita Ndërkombëtare e Shëndetit të Bimëve

Sot, Dita Ndërkombëtare e Shëndetit të Bimëve

Kuriozitete May 12, 2023 - 20:01

Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 12 maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Shëndetit të Bimëve. Një ditë tejet e rëndësishme po të mendojmë se 80% të ushqimit tonë e përbëjnë bimët dhe 98% të oksigjenit që thithim vjen po prej tyre.

OKB ngre shqetësimin mbi të ardhmen, duke kujtuar se udhëtimet dhe tregtia ndërkombëtare kanë lidhje me përhapjen e dëmtuesve të bimëve. Llojet invazive të dëmtuesve janë një nga nxitësit kryesorë të humbjes së biodiversitetit dhe kërcënojnë zinxhirin delikat të jetës që mbështet planetin tonë.Dëmtuesit dhe sëmundjet janë shoqëruar gjithashtu me rritjen e temperaturave, të cilat krijojnë hapësira të reja për popullimin dhe përhapjen e dëmtuesve. Si përgjigje, përdorimi i pesticideve mund të rritet, gjë që dëmton pjalmuesit dhe organizmat thelbësorë, për një mjedis të shëndetshëm, siç janë bletët. Mbrojtja e shëndetit të bimëve është thelbësore duke promovuar praktika miqësore me mjedisin, siç është menaxhimi i integruar i dëmtuesve.

Dita Ndërkombëtare e Shëndetit të Bimëve 2023 u bën thirrje të gjithëve të rrisin ndërgjegjësimin dhe të ndërmarrin veprime për t’i mbajtur bimët tona të shëndetshme dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit./ atsh