Pse disa shkolla në Kanada kanë varre të pashënuara?

Pse disa shkolla në Kanada kanë varre të pashënuara?

Kuriozitete June 26, 2021 - 13:24

Liderët e grupeve indigjene në Kanada, kanë thënë se hulumtuesit kanë gjetur më shumë se 600 varre të pashënuara në një ish-shkollë rezidenciale për fëmijë indigjenë.

Ky lajm vjen pas zbulimit të 215 trupave në një tjetër shkollë, muajin e kaluar.

Zbulimi është bërë në Shkollën Rezidenciale Marieval, e cila ka funksionuar në periudhën 1899-1997, rreth 135 kilometra në lindje të Regjinas, kryeqytetit të provincës Saskatchewan.

Radari që ka depërtuar në thellësi të tokës, ka regjistruar të paktën 600 trupa të varrosur, ka thënë shefi i komunitetit indigjen, Cadmus Delorme, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Varreza besohet se ka trupa të fëmijëve dhe të rriturve, dhe madje edhe të personave jashtë komunitetit, që kanë qenë pjesë e kishës atje.

Perry Bellegarde, shef i të ashtuquajturës Asamble e Kombeve të Para, ka thënë se nuk është e pazakonshme që të gjenden varreza të tilla në ish-shkolla rezidenciale, mirëpo përbëjnë gjithmonë zbulime shkatërruese, që hapin plagët për asimilimin e dhunshëm të fëmijëve indigjenë në këto institucione, që shpesh kanë qenë abuzuese.

Shumë kanadezë joindigjenë nuk kanë qenë të vetëdijshëm për shkallën e problemeve nëpër këto shkolla, derisa 215 fëmijë janë gjetur muajin e kaluar, në një prej shkolla më të mëdha të atij lloji.

Çfarë janë shkollat rezidenciale?

Nga shekulli i 19-të deri në vitet 1970, më shumë se 150,000 fëmijë indigjenë janë detyruar të marrin pjesë në shkollat e krishtera, të financuara nga shteti, me qëllim të asimilimit të tyre në shoqërinë kanadeze.

Mijëra fëmijë kanë vdekur aty si pasojë e sëmundjeve apo shkaqeve tjera, dhe shumica prej tyre nuk janë kthyer kurrë nëpër familje.

Gati tri e katërta e 130 shkollave rezidenciale janë udhëhequr nga kongregacionet misionare katolike romake, ndërsa të tjerat kanë funksionuar nën Kishën Anglikane apo Kishën e Bashkuar të Kanadasë, e cila sot është njihet për zgjerimin më të madhe të fesë protestante në këtë shtet.

Qeveria kanadeze ka pranuar rolin që ka pasur në izolimin e fëmijëve nga shtëpitë, familjet dhe kulturat e tyre dhe ka pranuar po ashtu se abuzimi fizik dhe seksual ka qenë i shfrenuar nëpër shkolla, ku studentët janë rrahur pse kanë folur në gjuhën e tyre amë.

Liderët indigjenë e kanë quajtur gjithë këtë histori si formë të gjenocidit kulturor.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, e ka quajtur të premten këtë politikë “tejet të dëmshme, e cila ka qenë realitet për Kanadanë për shumë, shumë dekada dhe kanadezët sot janë të tmerruar dhe të turpëruar se çfarë qasje ka pasur shteti i tyre”.

Ai ka thënë se kjo politikë “ka detyruar asimilimin” te fëmijët.

Çfarë qëndron mbrapa zbulimit të mbetjeve?

Komisioni për të Vërtetën Kombëtare dhe Pajtim, që është krijuar në kuadër të kërkimfaljes qeveritare, ka publikuar një raport më 2015, përmes së cilit janë identifikuar rreth 3,200 vdekje të konfirmuara nëpër shkolla.

Ndonëse disa persona kanë vdekur si pasojë e sëmundjeve si, tuberkulozi, është vërejtur se shkaku i vdekjeve për gjysmën e këtyre viktimave, zakonisht nuk është regjistruar.

Sipas Komisionit, Qeveria ka dëshiruar që të mbajë shpenzimet e ulëta nëpër shkolla, andaj rregulloret adekuate nuk janë krijuar kurrë.

Në raport është thënë edhe se praktikat e shkollave kanë qenë për të mos dërguar trupat nëpër komunitetet e tyre.

Delorme ka thënë se varrezat në shkollën në Saskatchesan janë shënuar një herë, mirëpo operatorët katolikë të ndërtesës i kanë hequr shenjat.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU