Bakteri që ha metal

Bakteri që ha metal

Kuriozitete July 19, 2020 - 22:05

Shkencëtarët në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni (Caltech) kanë zbuluar një lloj bakteri që ha metale. Bakteri dyshohet se ekziston prej më shumë se një shekulli, por nuk ishte vërtetuar asnjëherë ekzistenca e tij. Ai u zbulua aksidentalisht, teksa shkencëtarët po bënin eksperimente me manganin, një mineral që zakonisht gjendet i përzier me hekurin.

Dr. Jared Leadbetter, profesor i mikrobiologjisë mjedisore në Caltech, la një kavanoz me këtë substancë në lavamanin e zyrës së tij. Ai nuk u kthye në zyrë për disa muaj, pasi po punonte jashtë kampusit, por kur u kthye e gjeti kavanozin me një substancë të zezë, që më vonë zbuloi se ishte mangan i oksiduar.

Kjo përbërje u formua nga bakteret.

Shkencëtarët kishin zbuluar në të shkuarën se bakteret mund të oksidonin manganin, por mikrobe që të mund të nxisnin rritjen ende nuk ishin zbuluar.

“Këto janë bakteret e para të zbuluara që e përdorin manganin si burimin e tyre të furnizimit. Një aspekt i mrekullueshëm i mikrobeve në natyrë është se ato mund metabolizojnë materiale në dukje të pamundura, si metalet, duke i dhënë energji të dobishme qelizës“, tha Leadbetter.

Eksperti shtoi se këto baktere jetojnë në ujërat nëntokësore, që gjenden nën sipërfaqen e tokës, në të çarat në tokë, në rërë dhe gurë. Bakteret mund të heqin ndotësit në ujë nëpërmjet një procesi të njohur si bioremediation, duke zvogëluar sasinë e oksidit të manganit, në të njëjtën mënyrë siç njerëzit marrin frymë.

Tanimë hulumtuesit mund të kuptojnë më mirë kiminë e këtij fenomeni, që “shërben në furnizimin e mikrobeve të tjera me atë që ata kanë nevojë për të performuar reaksione, që ne i konsiderojmë përfituese dhe të dëshirueshme“, shtoi Leadbetter.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja The Independent, shkencëtarët besojnë se zbulimi do t’i ndihmojë që të kuptojnë më mirë ciklin thelbësor të Tokës dhe mënyrën sesi metali ka ndikuar në evolucionin në planet./tvklan.al