Mbjellja e pemëve kursen në shpenzimet për energjinë

Mbjellja e pemëve kursen në shpenzimet për energjinë

Kuriozitete qershor 22, 2019 - 23:41
Lexoni detajet

Një kompani që furnizon me energji elektrike zonën e Uashingtonit u ka dhënë falas një mijë pemë banorëve me qëllim kursimin e energjisë. Pepco është një prej dhjetëra kompanive në Amerikë që bashkëpunon me Fondacionin Arbor Day për të realizuar këtë plan.

Ndërsa qëllimi kryesor është kursimi i energjisë, zyrtarët thonë se pemët sjellin përfitime të ndryshme për banorët dhe lagjet ku jetojnë ata.

Anka Meyer është e dhënë pas kopshtarisë dhe kryesisht mbjelljes së pemëve në oborrin e shtëpisë.

“Tani do të lulëzojnë, pastaj do të gjelbërojnë dhe në vjeshtë gjethet do të ndryshojnë ngjyrën. Pemët sjellin lumturi”, thotë ajo.

Pemët po ashtu përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe ulin nxehtësinë gjatë verës.

“Pemët kanë ndikim të madh tek klima përreth shtëpisë dhe po ashtu në kursimin e energjisë. Kryesisht nëse lëshojnë hije nga ana jugore dhe perëndimore”, thotë ajo.

Zonja Meyer po merr pjesë për të dytin vit radhazi në programin “Energy-Saving Trees”.

Këtë vit, ajo mori falas pemën “Dogwood” nga programi i drejtuar nga kompania energjitike Pepco dhe Fondacioni Arbor Day, që është një organizatë jofitimprurëse.

“Këto pemë i përkasin rajonit tonë dhe nuk rriten në temperatura të ftohta. Janë pemë të bukura”, thotë zonja Meyer.

Vitin e kaluar ajo mbolli një panjë të kuqe.

“Është viti i dytë dhe pema është rritur mirë, është zgjatur sa unë.”

Gjatë dimrit pema i pret erërat dhe në verë krijon hije, duke ndihmuar pronarët e shtëpive të kursejnë energji dhe para.

Kristen Bousquet është menaxhere e programit me Fondacionin Arbor Day.

“Pemët në oborr e rrisin vlerën e pronës. Ne themi se mbjellja e pemëve e rrit deri në 18 përqind vlerën e pronës”, thotë zonja Bousquet.

Fondacioni Arbor Day mendon se programi për mbjelljen e pemëve do të zgjerohet.

“Fondacioni Arbor Day sapo filloi nismën me partnerët tanë … të quajtur Nisma e Kohës për Pemët. Përmes kësaj nisme do të mbillen 100 milion pemë dhe nxisim mbjelljen e 5 milion pemëve në mbarë globin”, thotë ajo.

Sipas zëdhënëses së kompanisë Pepco, Christina Harper, programi në zonën e Uashingtonit është bërë edhe më popullor gjatë tetë viteve të fundit.

“Një pemë e mbjellë siç duhet mund të kursejë për pronarët e shtëpive nga 15 deri 30 përqind në shpenzimet e tyre për ngrohjen dhe ftohjen. Në faqen e internetit të Fondacionit Arbor Day jepen detaje për mbjelljen e pemëve”, thotë zonja Harper.

E apasionuara pas natyrës, Anka Meyer, inkurajon edhe të tjerët që të marrin pjesë në program dhe të mbjellin pemë.

“Zgjidhni pemët që rriten më së miri dhe përshtaten me zonën tuaj. Zgjidhni një vend të mirë për ta mbjellur jo shumë afër shtëpisë”, thotë zonja Meyer.

Ky është ndikimi që organizatorët e programit shpresojnë të kenë, të nxisin sa më shumë njerëz në mbarë botë për të mbjellë pemë.