Përmbyllet edicioni i 18-të i PriFest, ndahen çmimet kryesore
Me shfaqjen e filmave të fundit në program dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve kryesore, sonte në Prishtinë është përmbyllur edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFest.
Programi i natës përmbyllëse nisi në orën 17:00 me dy filma në kuadër të Garës së Filmave të Shkurtër, “Entre Tormentas” të regjisorit Fran Zayas dhe “Il Nemico” të Andrej Chinappit.
Në orën 19:00, publiku pati mundësinë të ndjekë filmin “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, pjesë e Garës Ballkanike të këtij edicioni.
Nata kulmoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve kryesore, ku u shpërblyen filmat dhe autorët për realizimet e tyre artistike.
Çmimet kryesore të edicionit të 18-të të PriFest janë:
Filmi më i mirë – Vjosa Berisha Award: “Shame and Money”
Aktori më i mirë: Astrit Kabashi, për rolin në “Shame and Money”
Aktorja më e mirë: Sheqerie Buqaj, për rolin në “Hana”
Regjia më e mirë: Belkis Bayrak, për filmin “Gulizar”
Filmi më i mirë i metrazhit të mesëm – Best Medium Film: “Les Nocturnes”, nga Siham Bel, Francë
Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër – Best Short Film: “These Voices Are Real”, nga Baran Nikrah, Iran
Festival Award of Appreciation: “In Pigeon’s Blood”, nga Chaya Moshayev Hod Adler
Çmimi Golden Goddess – Laureat për Arritje Jetësore iu nda Cheryl Johnson.
Ceremonia shënoi përmbylljen e gjashtë ditëve të mbushura me premiera, filma nga Kosova dhe bota, takime me kineastë, diskutime dhe programe të ndryshme kinematografike.
Edicioni i sivjetmë i PriFest e riktheu edhe një herë Prishtinën në qendër të vëmendjes së kinemasë rajonale dhe ndërkombëtare.