Mbyllet në Tiranë Festivali i Filmit Shqiptar, ndahen çmimet

Mbyllet në Tiranë Festivali i Filmit Shqiptar, ndahen çmimet

Kultura September 13, 2026 - 09:34

Pas 14 vitesh mungesë, Festivali i Filmit Shqiptar mbylli në Tiranë edicionin e tij të rikthimit, duke sjellë në kryeqytetin e Shqipërisë, për dhjetë ditë radhazi, emrat më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare dhe një numër të madh produksionesh filmike.

Mbrëmja gala shënoi kulmin e këtij edicioni, me ndarjen e çmimeve për regjisorët, aktorët dhe krijuesit më të spikatur. Në ceremoni morën pjesë artistë, kineastë, regjisorë, aktorë, skenaristë dhe personalitete të jetës kulturore.

Kupa e Festivalit shkon për “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”

Çmimi kryesor i festivalit, Kupa e Festivalit të Filmit, iu dha filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, i realizuar nga Gentjan Koçi.

Filmi u shpall fituesi i edicionit, duke marrë vlerësimin kryesor të jurisë në një garë ku morën pjesë dhjetëra produksione shqiptare dhe bashkëprodhime.

Edhe çmimet e aktrimit sollën emra të njohur të skenës dhe ekranit.

Çmimi për Aktoren më të Mirë iu dha Adriana Matoshit, për interpretimin e saj në filmin “Luna Park”.

Ndërsa Çmimi për Aktorin më të Mirë shkoi për Blerim Destanin, për rolin e tij në filmin “Amsterdam Express”.

Dy prej çmimeve të rëndësishme të mbrëmjes shkuan kështu përtej kufijve të Shqipërisë, duke dëshmuar dimensionin mbarëkombëtar dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të madh të kinematografisë shqiptare.

Çmimi për producentët më të mirë iu dha Dritan Huqit dhe Vjollca Dedej, duke vlerësuar kontributin e tyre në realizimin dhe promovimin e produksioneve kinematografike.

Ndërsa çmimi për regjisorin më të mirë shkoi për Gjergj Xhuvanin, një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare.

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ishte Çmimi i Karrierës, i cili iu dha ikonës së kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Tinka Kurtit, në nderim të kontributit të saj të jashtëzakonshëm ndër vite.

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ishte partneri kryesor mediatik i festivalit, duke e shoqëruar këtë rikthim të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare dhe duke sjellë për publikun atmosferën dhe momentet kryesore të festivalit.

Çmimi Filmi më i Mirë: “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” – Gentjan Koçi

Çmimi për Aktoren më të Mirë: Adriana Matoshi – “Luna Park”

Çmimi për Aktorin më të Mirë: Blerim Destani – “Amsterdam Express”

Çmimi për Producentët më të Mirë: Dritan Huqi dhe Vjollca Dedej

Çmimi për Regjisorin më të Mirë: Gjergj Xhuvani

Çmimi i Karrierës: Tinka Kurti

Çmimi Filmi i Parë: “Derë e hapur” – Florenc Papas

Çmimi i Muzikës më të Mirë: “Bolero në vilën e pleqve” – kompozitor Endri Sina

Çmimi për Skenarin më të Mirë: “Liqeni im” – Gjergj Xhuvani

Çmimi për Producentin më të Mirë: “Amsterdam Express” – producente Rozeta Feri

Çmimi për Fotografinë më të Mirë: “Derë e hapur” – Sevdije Kastrati

Gjatë dhjetë ditëve të festivalit, interesi i publikut ishte i lartë. Sipas organizatorëve, rreth 20 mijë shikues ndoqën filmat dhe aktivitetet e festivalit në hapësirat e ndryshme të Tiranës.

Ky numër konsiderohet një prej arritjeve më të mëdha të këtij edicioni, sidomos duke pasur parasysh se festivali në Shqipëri u rikthye pas një mungese prej 14 vitesh.

Nga data 3 deri më 12 shtator, Tirana u kthye në qendrën e kinematografisë shqiptare, me rreth 220 filma të prodhuar nga viti 2012 e deri më sot, të cilët u shfaqën në katër hapësira: Universitetin e Arteve, Kinemanë “Agimi”, Piramidën e Tiranës dhe “Film Zone” në sheshin “Nënë Tereza”.

Rikthimi i festivalit në Tiranë synon të rikthejë një traditë të rëndësishme të kinematografisë shqiptare dhe të krijojë një hapësirë të përhershme për promovimin e filmit, autorëve dhe aktorëve shqiptarë.

Në këtë edicion, krijuesit u vlerësuan përmes tre sistemeve: Jurisë Zyrtare, Akademisë së Filmit dhe votës së publikut. Çdo regjisor konkurroi me një film të vetëm, ndërsa Akademia dhe publiku patën mundësinë të vlerësonin të gjitha veprat e paraqitura.