Zef Krispi - studiuesi arbëresh që iu kushtua gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare

Zef Krispi - studiuesi arbëresh që iu kushtua gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare

Kultura September 10, 2026 - 10:26

Akademia e Shkencave përkujtoi sot në ditën e ndarjes nga jeta Zef Krispin (Giuseppe Crispi), peshkopin, helenistin dhe profesorin e Universitetit të Palermos, një ndër studiuesit arbëreshë që në shekullin XIX iu kushtuan gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare.

Zef Krispi u lind në vitin 1781 në Pallaci Adriano (Palazzo Adriano) të Siçilisë dhe i përkiste njërit prej komuniteteve më të njohura arbëreshe. Ai njihet si një nga figurat kryesore të komunitetit arbëresh në Siçili dhe një nga studiuesit më të hershëm që theksoi lashtësinë e gjuhës shqipe. Duke marrë tezat e Conrad Malte-Brun, sipas Krispit, shqipja ishte e lidhur ngushtë me gjuhët pellazge, maqedonase dhe proto-eoliane.

Ai e konsideroi shqipen si paraardhëse të greqishtes, një gjuhë e cila sipas Krispit do të kishte humbur konotacionet e saj origjinale. Si autor i studimit të njohur “Shqipja nëna e gjuhëve” (botuar në Palermo në vitin 1831), ai argumentoi lidhjet e shqipes me gjuhët e lashta, duke i paraprirë kështu Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Monografia ndikoi në qëndrimet e autorëve të tjerë arbëreshë si Giuseppe Schirò, i cili e përdori atë për të shkruar veprën e tij të vitit 1834 me titull “Marrëdhëniet midis Epirit dhe mbretërisë së dy Siçilive”.

Vepra të tjera të Krispit kanë të bëjnë me kulturën dhe historinë e komunitetit arbëresh në Siçili. Ai është ndër studiuesit e parë të shekullit XIX që shkroi për “Mesharin” e Gjon Buzukut, prej të cilit botoi një fragment, bazuar në letrën e Gjon Kazazit, i cili më 1740 i kishte dhënë lajmin për zbulimin e veprës Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta).

Krispi e quante shqipen “albanese-epirota”, ndërsa, krahas arbëreshit tjetër sicilian Gjon Skiro (Giovanni Schirò) mbrojti tezën e origjinës pellazgjike të popullit shqiptar. Ai ndërmori gjithashtu hartimin e një fjalori të madh shqip-italisht, i cili nuk arriti të përfundonte. Ndër veprat e tij më të njohura është “Memorie storiche di talune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia” (1853). Që në vitin 1831, ai kishte botuar një “Memoria” mbi gjuhën shqipe, ku mbronte po ashtu tezën pellazgjike.

Kontributi i tij u shtri edhe në fushën e folklorit. Krispi i dha folkloristit italian këngë popullore shqipe të arbëreshëve të Sicilisë, të cilat u botuan prej tij më 1857. /atsh