Hardh Fest 2026 hapet me tingujt e iso-polifonisë shqiptare
Edicioni i sivjetëm i Hardh Fest, një nga festivalet më të njohura të Kosovës, do të hapet me tingujt e iso-polifonisë shqiptare. Festivali, i cili mbahet më 4, 5 dhe 6 shtator në Rahovec, do të nisë me performancën e Mjeshtrit të Madh, Vendim Kapaj, së bashku me grupin ISO Polifonia.
Iso-polifonia shqiptare, e mbrojtur nga UNESCO si Kryevepër e Trashëgimisë Shpirtërore të Njerëzimit, së fundmi është bërë pjesë edhe e kolonës zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan.
Kompozitori i filmit, fitues i tri çmimeve Oscar, Ludwig Göransson, ka udhëtuar në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt e kësaj tradite muzikore. Në film janë përdorur edhe tingujt e fyellit dhe culës dyjare të Vendim Kapajt.
Kështu, tingujt që publiku ndërkombëtar po i dëgjon në filmin e Nolanit do të interpretohen drejtpërdrejt në skenën e Hardh Fest në Rahovec.
Vendim Kapaj, i nderuar me titullin shtetëror “Mjeshtër i Madh”, ka më shumë se pesë dekada veprimtari artistike dhe njihet si mjeshtër i fyellit dhe culës dyjare. Ai konsiderohet gjithashtu instrumentisti i vetëm në Ballkan që i bie fyellit me dhëmbë.
Organizatorët thonë se përzgjedhja e iso-polifonisë për hapjen e festivalit synon të ndërthurë trashëgiminë kulturore shqiptare me programin bashkëkohor artistik.
Në kuadër të Hardh Fest 2026, për herë të parë në Kosovë do të performojë edhe Modern Talking me Thomas Anders & Band, ndërsa në program janë edhe Vedat Ademi, Naser Berisha, Anxhela Peristeri dhe artistë të tjerë që pritet të bëhen të ditur së shpejti.
Edicioni i sivjetëm i festivalit mbahet me sloganin “Për kokërr t’qefit”, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, dhe me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Bankës për Biznes – sponsor gjeneral, si dhe sponsorëve të tjerë. /rtk