QKK-ja uron Luana Bajramin për suksesin në Oscars
Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka reaguar pas suksesit të aktores shqiptare Luana Bajrami, e cila është nderuar me çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në ceremoninë e Academy Awards.
Përmes një njoftimi publik, QKK-ja shprehu krenarinë për arritjen e aktores në filmin e metrazhit të shkurtër “Two People Exchanging Saliva”, duke e cilësuar këtë vlerësim si një moment të rëndësishëm jo vetëm për Bajramin, por edhe për kinematografinë shqiptare.
Sipas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ky çmim përfaqëson një dëshmi të talentit dhe potencialit që artistët shqiptarë po tregojnë në skenat më prestigjioze të botës, ndërsa njëkohësisht shënon një moment domethënës për zhvillimin dhe promovimin e filmit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, QKK-ja i ka uruar suksese aktores dhe gjithë ekipit realizues të filmit, duke e konsideruar këtë arritje si një moment krenarie që do të mbetet gjatë në memorien kolektive të kinematografisë shqiptare.