Ujëvarat e Mërtinjës, një perlë natyrore në Këlcyrë

Ujëvarat e Mërtinjës, një perlë natyrore në Këlcyrë

Kultura February 16, 2026 - 14:12

Në fshatin Mërtinjë, pjesë e bashkisë së Këlcyrës, 14 ujëvara të kristalta rrjedhin njëra pas tjetrës mes shkëmbinjve dhe gjelbërimit të dendur, duke krijuar një panoramë mbresëlënëse dhe një oazë freskie për vizitorët.

Të vendosura në një terren të thyer shkëmbor, ujëvarat formojnë një varg kaskadash natyrore, ku uji i pastër zbret me ritëm të qetë, duke ofruar një përvojë relaksuese për adhuruesit e natyrës dhe aventurës. Zona përreth karakterizohet nga bimësi e pasur dhe ajër i pastër malor, çka e bën destinacionin të përshtatshëm për ecje, fotografi dhe pushime njëditore.

Ujëvarat e Mërtinjës po kthehen gjithnjë e më shumë në një pikë tërheqëse për turizmin natyror në jug të vendit, duke plotësuar ofertën turistike të Këlcyrës dhe zonave përreth. Vizitorët këshillohen të ndjekin shtigjet ekzistuese dhe të ruajnë pastërtinë e mjedisit, në mënyrë që kjo pasuri natyrore të mbetet e paprekur.

Ky destinacion përbën një ftesë për të përjetuar nga afër freskinë dhe bukurinë e natyrës shqiptare, larg zhurmës së përditshme urbane. /atsh