Nesër mbahet mbledhje komemorative për shkrimtarin Rushit Ramabaja
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se nesër ( e diel) organizohet mbledhje komemorative për shkrimtarin Rushit Ramabaja.
Homazhet fillojnë nga ora 11:00, kurse mbledhja komemorative mbahet në ora 12:00, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Ndryshe shkrimtari, Rushit Ramabaja sot ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare.
Ai ishte një nga figurat e shquara të letërsisë dhe mendimit shqiptar.
Ramabaja ishte gazetar kulture në gazetën Rilindja, shkrimtar, romansier e poet, si dhe i burgosur politik dhe mbështetës i lëvizjeve çlirimtare.
I njohur për fjalën e urtë dhe angazhimin intelektual, ai la pas një trashëgimi të çmuar letrare dhe shpirtërore.
Ikja e tij paraqet një humbje të rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për gjithë kulturën dhe mendimin shqiptar.
Me veprën, fjalën dhe qëndrimin e tij, Rushit Ramabaja la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit.
Ai ishte model i intelektualit të angazhuar, shembull dinjiteti njerëzor dhe udhërrëfyes shpirtëror, duke mëkëmbur përgjegjësinë e fjalës së shkruar, guximin në mendim dhe dashurinë e përditshme për Atdheun.