Hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës, paraqet ndërprerjen simbolike të fëmijërisë

Hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës, paraqet ndërprerjen simbolike të fëmijërisë

Kultura January 22, 2025 - 08:17

Muzeu i Fëmijëve të Luftës do të hapet sot në Prishtinë. Kjo nismë është e dedikuar për ruajtjen e kujtimeve të fëmijërisë gjatë luftës në Kosovë dhe për të siguruar që përvojat personale të luftës të mos harrohen.

Muzeu do të hapet duke filluar nga ora 18:00 në zyrat e YIHR KS, ndërsa do të përfshijë gjësende personale, video-dëshmi dhe eksponate të kuruara, që sipas njoftimit theksojnë përvojat e fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Muzeu i Fëmijëve të Luftës ofron një hapësirë të përbashkët të kujtesës kolektive ku historitë e harruara të së kaluarës vihen në vëmendje. Ne njohim shumë llojshmërinë e përvojave të luftës dhe kuptojmë rëndësinë e risjelljes së këtyre historive. ‘Loja e Ndërprerë’, ekspozita hapëse e muzeut, adreson ndërprerjen simbolike të fëmijërisë gjatë kohës së luftës. Ajo zbardh një udhëtim të fshehjes, ikjes në kushte ekstreme, përballjes traumatike me humbjen dhe vdekjen, si dhe të situatës së krijuar pas përfundimit të luftës”, thuhet në njoftim.

Ky muze do të shërbejë si një vend memorializimi që do të nxisë kureshtjen kritike, empatinë dhe dëshirën për liri, drejtësi dhe pajtim.