Promovohet libri i Muhamed Mufakut, “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme”

Promovohet libri i Muhamed Mufakut, “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme”

Kultura June 28, 2021 - 09:51

Në kuadër të aktiviteteve të tij kulturore, PEN-i i Kosovës organizon promovimin e librit të historianit kosovar Muhamed Mufaku, “Figura shqiptare në Lindjen e mesme: shek. XVI-XX”, i cili doli nga shtypi këto ditë në Shkup, Prishtinë e Tiranë nga shtëpia botuese “Logos-A”.

Ky libër, i cili vjen si fryt i punës shumëvjeçare (1989-2018) të autorit si profesor dhe njohës i Lindjes së Mesme në disa universitete jordaneze, i dedikohet veteranit të gazetarisë shqiptare për Lindjen e Mesme, Nehat Islami.

Edhe pse libri kap një hapësirë të madhe kohore e gjeografike (prej Turqisë deri në Jemen), autori më shumë u përqendrua në shek. XX, mu atëherë kur Lindja e Mesme mori pamjen e tashme me shumë shtete që ishin pjesë të Perandorisë Osmane.

Duke hetuar interesim më të madh në mesin shqiptarëve për Lindjen e Mesme prej shtatorit 2020, autori thekson në parathënie se “libri ashtu si është mund të ndihmojë lexuesin shqiptar t’i kuptojë më mirë zhvillimet në Lindjen e Mesme në shek. XX, pasi që kemi disa figura shqiptare që kanë pasur rolin e vet në ato zhvillime”.

Në promovim të këtij libri, i cili mbahet të mërkurën 30 qershor në orën 14 në Bibliotekën Kombëtare, merr pjesë edhe shkrimtari dhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafai. /Zëri

Image