Kabashi: Letërsia e Kadaresë e bëri historinë shqiptare pjesë të letërsisë botërore
Studiuesi i letërsisë dhe ish-punonjësi shkencor i Institutit Albanologjik, dr. Emin Kabashi, në një ligjëratë publike me temën “Historia shqiptare në letërsinë e Kadaresë”, tha se krijimtaria e Ismail Kadaresë ka trajtuar historinë shqiptare në të gjitha periudhat dhe përmasat e saj.
Kabashi tha se vepra e Kadaresë zë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe dhe kulturën shqiptare, duke shtuar se trajtimi i historisë në korpusin e tij letrar është i pakrahasueshëm.
“Unë do të shtroj dy-tri çështje që më thotë mendja, herë mund të kontestohen, herë duken bindëse: qoftë edhe me qartësinë në korpusin e tij letrar, qoftë në tërësinë e letërsisë shqipe, qoftë në përmasën e historisë shqiptare, e në fund të fundit, qoftë edhe në tërësinë e kulturës shqiptare”, tha ai.
Ai tha se letërsia e Kadaresë është pjesë e pandashme e letërsisë shqipe dhe se rrallë ndonjë autor ka trajtuar historinë shqiptare në të gjitha periudhat siç ka bërë ai.
“Në fillim mendoj e kam bërë të sqaroj përkufizimin: historia shqiptare në letërsinë e Kadaresë. Letërsia e Kadaresë është letërsi shqipe. Nuk e di a do të ishte e plotë letërsia shqipe pa letërsinë e Kadaresë. Tjetër, në asnjë periudhë kohore të letërsisë shqipe, që nga libri i parë i Buzukut e deri në ditët tona, nuk njoh ndonjë korpus letrar që ta ketë trajtuar historinë shqiptare në të gjitha periudhat dhe të shkripet e të saj, sesa vepra madhore e Ismail Kadaresë.
Që nga fillesa e njerëzimit, kur tradhtia vjen e vret një popull në gjumë me përbindëshin, me romanin e tij ‘Përbindëshi’, me dilemën e tij të përjetshme, me Trojën apo mos-Trojën, me ekzistimin apo joekzistimin e saj, me Eskilin, ky humbës i madh, e deri te krushqit që janë të ngrirë me ngjarje dhe një pjesë të atdheut të tij, në Kosovë, që ishte ende e huaj për një pjesë të historisë kombëtare”, tha ai.
Kabashi foli edhe për trajtimin e motiveve historike në romanin “Piramida”, duke theksuar se Kadareja e ka lidhur historinë shqiptare me qytetërimet dhe perandoritë e mëdha.
“Për çudi, edhe të letërsisë së përbotshme, dy kapitujt e parë të romanit të tij ‘Piramida’ merren vetëm me gurët. Gurët kanë numra, siç kanë edhe numra të tjerët. Do të thotë, që nga ndërtimi i Piramidës së Keopsit, historia jonë është pjesë e letërsisë së Kadaresë. Duke vazhduar me korpusin e baladave shqiptare, e deri te korpusi i madh i tij që merret me Perandorinë Osmane, me perandorinë më të madhe të asaj kohe, me Perandorinë Osmane”, tha ai.