Koronavirusi: Rriten shitjet e librit “Murtaja” të Kamysë

Koronavirusi: Rriten shitjet e librit “Murtaja” të Kamysë

Kultura March 11, 2020 - 12:20

Kërcënimi global i “COVID-19” po i dërgon lexuesit drejt romaneve, që kanë subjekt epidemitë. Botuesit në mbarë botën bëjnë me dije se janë rritur ndjeshëm shitjet e tre librave: “Murtaja” i Albert Kamysë, “The Eyes of Darkness” i Dean Koontzit dhe “The Stand” i Stephen Kingut, sipas “The Guardian”-it.

“Murtaja” është në “Top 10”-ën e librave më të shitur në Itali, sipas raportimit të revistës letrare “ActuaLitté”. Ndonëse përgjithësisht është konsideruar si një alegori e përvojës së popullit francez gjatë pushtimit nazist, vepra ka ngjallur interes së fundmi. “Murtaja” i Kamysë i vendos ngjarjet në një qytet në Algjeri, Orani. Dr. Bernard Rieux vë re gjithnjë e më tepër minj të ngordhur. Pas tyre shtohen vdekjet e njerëzve dhe krejt papritur Orani e gjen veten të izoluar nga bota. “The Stand” imagjinon një botë të dekompozuar nga një grip i rrezikshëm, i njohur si “Captain Trips”. Edhe shitjet e romanit “The Stand” janë rritur ndjeshëm së fundmi.

“The Eyes of Darkness” fitoi popullaritet pas teorisë që u përhap në internet, ku thuhej se Dean Koontz parashikoi koronavirusin. Thashethemet nisën të përhapen sepse virusi i librit quhet “Wuhan-400”. Është e vërtetë që Koontz shkroi për një virus fiktiv në romanin e tij, me emrin “Wuhan-400”, ku i referohet qytetit kinez në të cilin pati origjinën koronavirusi i 2019-ës (“COVID-19”), por sëmundja e librit nuk ka të përbashkëta me sëmundjen reale./ZËRI