Muzeu i Kosovës shënoi 12-vjetorin e Pavarësisë me dy ekspozita

Muzeu i Kosovës shënoi 12-vjetorin e Pavarësisë me dy ekspozita

Kultura February 17, 2020 - 17:19

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, të hënën, me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës janë hapur dy ekspozita. Në lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës u vendos ekspozita “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”. Kjo ekspozitë dokumenton një shekull histori. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin përfaqësues nga Shqipëria, kryeshefi arkivave të Kosovës dhe drejtori i Muzeut Ajet Leci. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 21 shkurt, shkruan zeri.info.

Në anën tjetër Muzeu Kombëtar i Kosovës organizoi hapjen e ekspozitës me tematikë arkeologjike “Trashëgimia Arkeologjike Adriatiko-Mediteriane në Kosovë”, të autorit Tomor Kastrati. Kjo ekspozitë pasqyron karakterin e përbashkët kulturor të bartësve të ndryshëm ndër breza dhe vende, të manifestuar në trashëgiminë materiale në forma të caktuara, si: stoli, armë, monedha, fortifikime, enë dhurimesh të cilat janë ruajtur dhe promovohen në kuadër të trashëgimisë arkeologjike të Kosovës. Për vizitorët ofrohen dy paraqitje, që i takojnë një tërësie. Aty prezantohet artefakte tredimensionale nga fondi ekzistues dhe fotografi arkivore te disa objekteve që në një apo mënyrë tjetër janë marrë dhe nuk janë kthyer më.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci, tha se kjo ekspozitë është e veçantë pasi na kujton kohën e lashtë.

“Ekspozita organizohet në ditëlindjen e 12-të të Pavarësisë së Kosovës dhe ka një rëndësi të veçantë se na kujton kohën tonë të lashtë nga koha e neolitit dhe mesjetë falë sakrificave të brezave nga pavarësia e Shqipërisë 1912 deri në çlirimin e Kosovës 1999 ne sot jemi të lirë”, tha ai.

Në anën tjetër autori Tomor Kastrati tha se qëllimi i kësaj ekspozite ka qenë të informojnë opinionin dhe studiuesit me disa informacione interesante  të trashëgimisë arkeologjike. “Ekspozita arkeologjike, trashëgimia është në këtë pjesë jo të plotë e përfaqësuar këtu. Kemi paraqitur disa artefakte, që i kemi në dispozicion dhe disa që mungojnë, i kemi paraqitur në formë të fotografive. Qëllimi ka qenë ta njoftojmë opinionin dhe studiuesit me disa informacione interesante të kësaj trashëgimie arkeologjike. Shpresojmë në të ardhmen ta plotësojmë”, tha Kastrati.

Eksponatet e prezantuara i përkasin periudhave të ndryshme kohore që nga neoliti e deri në mesjetë dhe janë përzgjedhur nga lokalitete përfaqësuese. Zëri