Kërkohet mbrojtja e objektit të RTP-së, konsiderohet pjesë e trashëgimisë

Kërkohet mbrojtja e objektit të RTP-së, konsiderohet pjesë e trashëgimisë

Kultura August 28, 2019 - 10:20
Lexo më shumë detaje

Pas diskutimeve që u ngjallën për ruajtjen e ndërtesës së ish-Gërmisë si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit, njësoj ditët e fundit po diskutohet edhe për objektin e RTP-së. Këto reagime kanë nisur pas publikimit të disa fotografive, ku shihet se një pjesë e fasadës së këtij objekti është dëmtuar. Në lidhje me këtë objekt kanë reaguar qytetarët, aktivistët dhe njohësit e trashëgimisë kulturore të vendit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Yll Rugova, ish-drejtor në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka shkruar se ndërtesa e RTP-së është ndërtuar në kohën kur shqiptarët kanë vënë themelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke ndërtuar ndërtesat e rëndësishme publike si Biblioteka Kombëtare, Instituti i Albanologjisë e Universiteti i Prishtinës dhe si e tillë duhet të mbrohet. “Kjo është ndërtesa e RTP-së, ku përveç të tjerash ka performuar orkestra simfonike dhe kori i saj. Kjo ndërtesë duhet të mbrohet! Sot pranova pamjet ku tregohet se një pjesë e fasadës së poshtme të kësaj ndërtese është duke u shkatërruar dhe tjetërsuar. Ky veprim duhet të ndalet nga inspektoratet shtetërore, kurse vetë ndërtesa gjithsesi duhet të iniciohet për mbrojtje si trashëgimi kulturore. Në fakt, edhe pa qenë në mbrojtje, ndryshimi i pamjes së ndërtesave ligjërisht u nënshtrohet lejeve përkatëse”, shkruan Rugova.

Rugova ka vlerësuar se orkestra simfonike e RTP-së së bashku me korin janë institucionet pararendëse të Filarmonisë së Kosovës, që së bashku me Shkollën e Muzikës në Prizren e në Prishtinë kanë vënë themelet e muzikës klasike në Kosovë.

“Përndryshe, kjo ndërtesë e RTP-së është ndërtuar në kohën kur shqiptarët kanë vënë themelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke ndërtuar ndërtesat e rëndësishme publike si Biblioteka Kombëtare, Instituti i Albanologjisë e Universiteti i Prishtinës (kampus i projektuar nga Bashkim Fehmiu, vëllai i aktorit të madh Bekim Fehmiut), Pallati i Rinisë, Radio Prishtina me aneksin, Pallati i shtypit, Rilindja etj. Na duhet një politikë gjithëpërfshirëse, e cila mbron trashëgiminë tonë kombëtare në të gjitha periudhat e saj, duke filluar edhe nga ndërtesat e institucioneve të përmendura më lart”, vlerëson Rugova, që kërkon t’i vihet një stop shkatërrimit të këtij objekti.

Arber Sadiki, arkitekt, ka shfaqur publikisht keqardhjen e tij lidhur me objektin e RTP-së. Ai ka shkruar se për fatin tonë të keq është bërë praktikë shkatërrimi i ikonave arkitektonike të Prishtinës. “Për fatin tonë të keq tashmë është bërë më se praktikë shkatërrimi i ikonave arkitektonike të Prishtinës, të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore. Viktima e radhës është godina e Radio Prishtinës, një vepër e mahnitshme brutaliste, e projektuar nga arkitekti i madh slloven Oton Gaspari (1966). E keqja më e madhe, e gjitha kjo bëhet në emër ‘të së mirës’! Zot, fali se s'dinë ç'bëjnë”, ka shkruar Sadiku. Deri më tani institucionet përgjegjëse nuk janë deklaruar zyrtarisht për këtë çështje. Zëri