Adea Pula, artistja kosovare që ekspozon në Beograd

Adea Pula, artistja kosovare që ekspozon në Beograd

Kultura April 22, 2019 - 11:33
Lexo më shumë detaje
Image

Adea Pula, studente e vitit të tretë në akademinë “Evolucion”, ka dërguar një fotografi të saj në ekspozitën që është organizuar në Qendrën Kulturore për Dekontaminim në Beograd.

Për gazetën “Zëri” ajo ka folur për eksperiencën e saj dhe ka thënë se fotografia që e ka bërë i është ekspozuar edhe vitin e kaluar në Mitrovicë, me një ekspozitë që është mbajtur në “Kosova Exchange Gallery”. Ajo ka treguar se tema që është dashur ta punojnë ka qenë “Fytyra ime”. Pra para publikut serb ka prezantuar një autoportret që e ka bërë para dy vjetëve. “Qëllimi pse e kam punuar në formën sesi duket sot është se natyra është njëra prej gjërave që mua më pëlqen më së shumti. Ajo që mund të vërehet është se ngjyra e kuqe dominon në jetën time. Mënyra më e mirë për ta shprehur krejt artin e brendshëm ka qenë me anë të tymit, natyrës dhe fytyrës që kam ekspozuar me ngjyra. Për të rrumbullakuar kam dashur të gjitha elementet që i punoj të tregojnë se sa e adhuroj pikturën dhe ngjyrat në përgjithësi”, rrëfen për “Zërin” artistja Pula.

E pyetur se çfarë ndjesie është të ekspozosh në një qytet si Beogradi dhe si është mirëpritur fotografia, Pula thotë se ajo ka biseduar me udhëheqësit e programit të cilin e ka ndjekur dhe u ka propozuar atyre që mund ta ekspozojë punën e saj.

Ajo ndihet me fat që ka marrë pjesë në ekspozitën e Qendrës Kulturore për Dekontaminim, e cila ka pasur për qëllim promovimin e punës së artistëve dhe njëkohësisht me paratë e mbledhura nga shtija t’i ndihmohet komunitetit rom atje.

 

Ky tekst është publikuar në kuadër të projektit “Serbia dhe Kosova: Thyerja e akullit ndërkulturor”