Olivia Colman prin në 'Bafta Film Awards 2019'

Olivia Colman prin në 'Bafta Film Awards 2019'

Kultura janar 10, 2019 - 10:15

Akademia Britanike e Filmit dhe e Televizionit ose “Bafta Film Awards” ka shpallur të nominuarit për këtë vit. Filmi i Olivia Colman “The Favorite” kryeson garën për çmimet “Bafta” të vitit  2019 me 12 nominime. Garë e ngushtë gjithashtu është mes filmave “Bohemian Rhapsody”, “A Star Is Born”, “First Man” dhe “Roma”, të cilët kanë nga shtatë nominime secili, shkruan sot gazeta "Zëri".

Steve Coogan, Christian Bale, Claire Foy, Rachel Weisz dhe Richard E Grant janë kandidatët të tjerë që presin të shpërblehen me “Bafta”, kurse “The Favorite” është prodhimi i vetëm që do të jetë në garë për filmin më të mirë dhe filmin britanik më të shquar. Ky film ka dëshmuar popullaritetin duke fituar 4 milionë funte në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë në javën e tij të parë.

Colman është nominuar për aktoren më të mirë, ndërsa koleget e saj Weisz dhe Emma Stone janë në garën për aktoren më të mirë mbështetëse. "Ka shumë dashuri për këtë film", tha kritiku i filmit Jason Solomons për “BBC Breakfast”. "Është duke u shitur shumë mirë në zyrën e biletave dhe për një kohë vetëm njëjavore është arritur shumë. Olivia Colman është një figurë e tillë popullore, unë mendoj se njerëzit po bien vetëm për performancën e saj si Mbretëresha Anne, e mbështetur shkëlqyeshëm nga Rachel Weisz dhe nga Emma Stone", shtoi tutje kritiku i filmit.

Colman ka fituar tri “Bafta TV Awards” në të kaluarën, por ky është nominimi i saj i parë në seksionin e filmit.

Rami Malek është një tjetër yll që do të shpresojë të ndjekë një fitore të artë dhe të rrëmbejë një “Bafta”. Ai është emëruar për të luajtur Freddie Merkur në dokumentarin  “Bohemian Rhapsody” i cili është gjithashtu në listën e ngushtë për filmin britanik të shquar, por që nuk ka arritur të jetë në kategorinë e filmit më të mirë. Spike Lee mori çmimin Special të “Baftas” në vitin 2002 - por ai është nominuar  tri herë për këtë vit, për regjisorin më të mirë, filmin dhe skenarin për “BlacKkKlansman” e që janë nominimet e tij të para konkurruese në “Bafta”. Një yll britanik që sipas BBC-së ka humbur është Emily Blunt për Mary Poppins Returns, e cila mori vetëm tri nominime – për muzikën origjinale, për dizajnin e prodhimit dhe për hartimin e kostumeve.

Regjisori meksikan Alfonso Cuarón ka qenë gjashtë herë i nominuar për filmin “Roma” (filmi më i mirë, filmi i huaj, regjisor, skenografi origjinale kinematografi dhe redaktim), duke e bërë atë individin më të nominuar në një vit, sipas të dhënave të “Bafta”-s.

Bradley Cooper nuk është shumë mbrapa, megjithatë ai është nominuar pesë herë për filmin “A Star Is Born (filmi më i mirë, regjisori më i mirë, skenar i adaptuar, aktori më i mirë dhe për muzikën më të mirë). Zëri