TKK-ja thërret artistët të aplikojnë në 'Skena e Vogël e Vogël'

TKK-ja thërret artistët të aplikojnë në 'Skena e Vogël e Vogël'

Kultura nëntor 16, 2018 - 10:10

Teatri Kombëtar i Kosovës në kuadër të programit “Skena e Vogël e Vogël 2019” ka hapur thirrjen për aplikim për zhvillimin e skenës teatrore në Kosovë. Në kuadër të politikave kulturore që zhvillon nga ky institucion është krijuar një program i veçantë, ku do t’u jepen mundësi artistëve t’i realizojnë idetë e tyre artistike, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në njoftimin për medie nga ky institucion thuhet se qëllimi i këtij programi, i emëruar si “Skena e Vogël e Vogël”, është t’i mbështesë idetë kreative, inovative e origjinale të artistëve të ndryshëm të Kosovës. Në këtë mënyrë sipas tyre mund të kontribuohet në prodhimtarinë teatrore.

Sipas tyre, mund të jetë edhe hap për të sjellë prurje të reja në skenën e këtij institucioni. Teatri Kombëtar i Kosovës fton të gjithë artistët e lirë, dramaturgë, regjisorë, aktorë dhe artistët e tjerë të Teatrit, të aplikojnë dhe t’i sjellin idetë e tyre në programin të cilin e kanë formuar.

Në konkursin e publikuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës thuhet se idetë duhet të prezantohen në formën e një koncepti deri në katër faqe dhe duhet të përmbajnë informata për dramën/tekstin, autorët, ekipin e shfaqjes, konceptin artistik, buxhetin dhe CV-në e udhëheqësit të projektit. Teatri Kombëtar i Kosovës do të përzgjedhë deri në katër koncepte për vitin 2018, për t’u realizuar si shfaqje në skenën e vogël të këtij institucioni.
Shfaqjet e realizuara në kuadër të këtij programi do të jenë pjesë e repertorit të rregullt të këtij institucioni. Ky institucion do të ndajë nga 10.000 deri në 15.000 euro për një projekt (për të gjitha shpenzimet që mund të dalin nga ai projekt).

Planifikimi financiar finalizohet në bashkëpunim me menagjmentin e TKK-së. Konceptet duhet të dërgohen nëpërmes postës elektronike në këtë adresë: [email protected], me subjektin “Koncept për Programin ‘Skena e Vogël e Vogël’”.

Teatri Kombëtar i Kosovës mund t’i ftojë aplikantët e koncepteve për negociata të mëtutjeshme ose sqarime rreth koncepteve.
TKK-ja në marrëveshje me udhëheqësit e koncepteve të përzgjedhura do t’i definojnë çështjet tjera organizative dhe administrative.

Konkursi mbetet i hapur deri më 30 nëntor. Zëri