Në kujtim të Melehate Ajetit, për ditëlindjen e 83-të

Në kujtim të Melehate Ajetit, për ditëlindjen e 83-të

Kultura tetor 09, 2018 - 10:03
Image

Data 9 tetor shënon ditëlindjen e njërës prej aktoreve me të njohura të skenës teatrore të Kosovës, Melehate Ajeti. Po të ishte gjallë aktorja Melehate Ajeti sivjet do të festonte ditëlindjen e 83-të. Ajeti e filloi rrugën e saj artistike në moshë të re. Ajo ishte 16-vjeçare kur nisi të luajë në teatër. Me talentin dhe me bukurinë e saj Melehate Ajeti u bë aktorja numër një e dramës, primadona e skenës shqiptare, kampione e dramës e Teatrit Popullor Krahinor të Prishtinës. Ajeti vijoi shkollën e aktrimit në Prishtinë dhe bëri një specializim në Paris (Comedie Française), shkruan sot gazeta "Zëri".

 Gjatë 50 vjetëve të punës së vetë artistike Ajeti ka luajtur rreth 180 role, kryesisht kryesore, në teatrin e vet amë dhe mbi dhjeta role të filmit e të dramës televizive, ose seriale filmike .“Sikur të isha djalë”, “Besa”, “Bashkëshortët”, “Zonja me kamelie”, “Hanka”, “Halili e Hajrija”, “Zullumqari”, “Nuk martohem me pare”, “Nita”, “Dredhitë e Shaptukut, “Erveheja”, “Vajza pa pajë”, “Fosilet”, “Gjenerali i ushtrisë së vjetër”, “Othello”, “Hamleti”, “Magbethi”, “Ana Karenina”,“Antigona”, “Golgota”, “Sfinga e gjallë”, “Konfiteori”, “Dervishi dhe vdekja”, “Procesi”, “Rrethimi”, “Vdekja e një mbretëreshe” e të tjera, janë disa nga shfaqjet emblematike në të cilat Ajeti është paraqitur me rolet e veta.                                                                                        

  Për talentin dhe paraqitjet e saj mbresëlënëse flasin shpërblimet e shumta dhe kritikat e kritikëve më eminentë teatralë të kohës kur zhvilloi karrierën e saj. Këto dhe gjithë krijimtarinë dhe jetën e pasur artistike po e përmbledh në një monografi e bija e saj e vetme, gazetarja Antigona Qena. Për gazetën “Zëri” Antigona ka treguar se tash e një kohë është angazhuar për grumbullimin dhe sistemimin e materialeve që do ta përbëjnë këtë monografi. “Jam duke punuar mjaft kohë në realizimin e monografisë, duke mbledhur dhe duke klasifikuar dorëshkrimet, dokumentet, fotografitë dhe kritikat e shumta”, ka bërë të ditur Antigona, duke qenë e vetëdijshme se është duke punuar në realizimin e një monografie të një figure të madhe në historinë e kulturës kosovare e jo vetëm të nënës së saj.                                                                                                                            

Melehate Ajeti vdiq në pranverën e vitit 2005 në Prishtinë. Në këtë datë të ditëlindjes së 83-të të saj Ajetin e kujtojnë ata familjarë, miq e dashamirë të artit që dikur kishin kënaqësinë të shohin shfaqje të mrekullueshme, të krijuara nga gjenerata e parë e artit skenik e që ndryshe njihet edhe si “gjeneratë e artë”. Zëri