“The Black Album” i Prince shitet për 27. 500 dollarë

“The Black Album” i Prince shitet për 27. 500 dollarë

Kultura gusht 09, 2018 - 08:00

Një kopje "Vinyl" e albumit të Prince "The Black Album" (“Albumi i Zi”) është shitur për 27.500 dollarë. Kështu disku i vitit 1987 është bërë disku më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë në tregun e muzikës online "Discogs", raporton “The Guardian” shkruan sot gazeta "Zëri"

Dikur Prince kishte ndaluar që ky album të dilte në shtije. "Papritmas e kuptova se ne mund të vdesim në çdo moment dhe do të gjykohemi nga gjëja e fundit që lëmë pas. Unë nuk dua që kjo gjë e zemëruar dhe e hidhur të jetë gjëja ime e fundit”, kishte thënë Prince për revistën "Rolling Stone" në vitin 1991.

Vendimi i tij nënkuptonte ekzistencën e vetëm të disa kopjeve promovuese ''Vinyl".  Kopja e shitur në "Discogs" është veçanërisht e rrallë, një nga 500.000 versionet e shitjes me pakicë që Princi urdhëroi të shkatërroheshin.

Pronari anonim është një ish-punonjës i një fabrike të disqeve në Toronto, i cili ruajti një nga kopjet. "Ka pak artistë me vlerë koleksionuese si Prince dhe ‘The Black Album’ është një nga disqet më të vlefshme në botë", tha Jeff Gold, i cili e shiti atë në emër të pronarit.

Albumi nuk ka një titull zyrtar dhe planifikohej të shitej me një pamje të thjeshtë të zezë pa karakteristika dalluese, përveç numrit të katalogut.

Kujtojmë se Prince vdiq në vitin 2016 dhe ishte një nga këngëtarët më të mëdhenj të kohës së tij, duke kultivuar një mori zhanresh si pop, rok, funk, R&B e soul./Zëri/