QKK-ja kërkon propozime për 'Oscars'

QKK-ja kërkon propozime për 'Oscars'

Kultura korrik 20, 2018 - 10:32

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka hapur thirrjen për pranimin e propozimeve për filmin, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj në akademinë “Oscars”.

QKK-ja njofton se të drejtë për të konkurruar kanë filmat e metrazhit të gjatë, të cilët janë shfaqur ose do të shfaqen shtatë ditë rresht në kinematë kosovare, përkatësisht nga periudha 1 tetor 2017 dhe jo më larg se 30 shtator 2018. Po ashtu kërkohet që filmi i cili konkurron t’i plotësojë kushtet e tjera të vendosura nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”.

Në komisionin përzgjedhës të Kosovës do të marrin pjesë shumë emra të njohur nga bota e filmit, duke u kryesuar kështu nga regjisori Isa Qosja, me anëtarë: aktorin dhe producentin Fatmir Spahiu, skenaristen Visare Aliu, aktorin e regjisorin Edon Rizvanolli, producentin Valon Jakupaj, regjisorin Faton Bajraktari dhe aktorin e producentin Shkumbin Istrefi.

Afati për të aplikuar në këtë konkurs është i hapur deri më 15 gusht 2018. Propozimet duhet të dërgohen në postën elektronike [email protected] ose përmes postës fizike (Qendra Kinematografike e Kosovës, rruga UÇK, nr. 273, 10000 Prishtina, Kosova).

Rikujtojmë se vitin e kaluar filmi “T’padashtun” nga Edon Rizvanolli, i cili pati premierën në Karlovy Vary, ishte propozimi zyrtar i Kosovës për këtë kategori. Në anën tjetër, filmi i parë nga Kosova që arriti të nominohej për një “Oscar” ishte filmi “Shok” në vitin 2016, që garoi në kategorinë e filmave të shkurtër.