Në një dhomë veç për veten time: Poetët janë androgjen

Kultura March 29, 2018 - 12:01

Kjo është një nga esetë e para të shkruara për feminizmin. Kjo ese i fton të gjithë që të bëhen  feministë, në të njëjtën kohë bënë me gisht te thembra e Akilit që ka feminizmi. Woolf nuk donte që të përdorte një shkop magjik dhe t’i ndryshonte meshkujt në femra, për të ky është veç një ndryshim kozmetik, ajo veç donte ta fillonte debatin rreth barazisë gjinore.

Virginia Woolf shkroi një ese, sa të guximshme aq edhe të kritikuar ku trajton feminizmin dhe pozitën e gruas gjatë periudhave të ndryshme. Eseja e shqyrton temën e grave shkrimtare, por nuk ndalet veç këtu. Woolf tërbohet nga misogjenia e injoranca dhe vendosë të shprehet.

Ajo qëndron vetëm në dhomën e saj duke kërkuar të vërtetën rreth roleve gjinore. Në këtë ese ajo kritikon me gjakftohtësi shkrimtarët (të të dyja gjinive) për rolin e panevojshëm që i japin letërsisë, sepse për të letërsia ishte e vetë-mjaftueshme.

Metakritikë e Woolf

Në kërkimin e saj vëren se të gjithë kanë mendime të ndryshmepër gratë. Goethe i adhuronte kurse Napoleoni e Mosulini i urrenin. Në disa vende, gratë i shihnin si gjysmë hyjnore e në disa vende si sakrifica për kauzat politike. Teksa rri vetëm, në një dhomë që një grua mund ta konsiderojë vec të sajën, gjen një libër të profesorit Von X që shkruan për inferioritetin femëror.

Gjatë leximit të këtij librit, ajo ka përpara një fletë dhe pa vetëdije fillon ta vizatojë një portret të tij teksa përdor teorinë frojdjane për ta analizuar atë që ka shkruar. Ajo fillon të hamendësojë se gjithë kjo urrejtje për gratë duhet të jetë pasojë e fizikut të tij të shëmtuar apo ngaqë gruaja e tij ishte e dashuruar në një oficer të kavalerisë.

Gjithsesi, për një çast, pasi ka mbaruar analizën për profesorin von X, ajo ul kokën dhe e sheh portretin që kishte vizatuar “Inati  kishte rrëmbyer lapsin teksa po vizatoja. Por çfarë po bënte inati aty? Interesim, konfuzion, lodhje dhe mërzi, të gjitha këto emocione mund t’i njohja e t’i arsyetoja, por a ka mundësi që inati, ky gjarpër i zi, të ketë hyrë mes emocioneve që ndjeja?” shkruan Woolf pasi e vëren se, tek e fundit ajo kishte bërë të njëjtën gjë si Profesori von X. Ajo e vëren se si inati e kishte bërë që ajo ta shpërfytyronte një burrë të cilit s’ia kishte parë asnjëherë.

Ajo e hedh përtokë këtë libër pasi asgjë nuk është e argumentuar dhe fillon të mendojë se pse gjithë ky inat ndaj grave?

Pas kësaj ajo provon ta shoh qasjen feministe dhe merr një libër nga Rebecca West ku vëren që ajo i quan “snobs” të gjithë burrat. Adhurimi kthehet në dëshpërin dhe duhet ta pranojë të vërtetën që “We’re not that different after all”.

Pa e kuptuar as vet, ajo gjen një analogji që i përshtatet situatës. “Edhe të pasurit ua kanë frikën të varfërve ngaqë dyshojnë se mund t’ua marrin pasurinë”, sepse për të ekzistuar i pasuri duhet të ekzistojë i varfëri, për ta bërë vetën supërior duhet që t’ia mveshësh dikujt tjetër inferioritetin, që ta bësh veten fitues u dufka  ketë humbës për rreth tij.

Prandaj me këtë në mend ajo provon t’i jap feminizmit një kahje të re duke thënë: “Unë nuk kam nevojë t’i urrej burrat, ata s’mund të më lëndojnë. Unë nuk kam nevojë të pajtohem me të, ai s’ka asgjë më tepër për të më dhënë”. Me pak fjalë ajo refuzon të konkurrojë në një lojë të pisët për dominancë. Woolf tregon një qasje të re ndaj gjysmës tjetër të racës njerëzore, duke thënë se është absurde të fajësohet një klasë apo një gjini si tërësi. Ajo sugjeron që ta pranojmë frikën dhe zemërimin,  me kusht që të dyja këto të kthehen në  tolerancë e keqardhje, e më vonë kthehen në liri të plotë

Pozicioni i grave

Në të vërtetë kjo ese kishte filluar si përgjigje ndaj një Bishopi i cili ishte shprehur për gazetat ditore që “Macet nuk mund të shkojnë në parajsë dhe një grua nuk mund t’i kishte shkruar dramat e Shekspirit.”

Woolf tregon që gratë zotërojnë çdo faqe të poezisë, por janë të anashkaluara nga historia. Ato zotërojnë zemrën e çdo perandori apo mbreti fiksional, por në realitet kanë qenë skllave të secilit që ua ka vënë një unazë në gisht. Prandaj PO, në kohën e Shekspirit një grua nuk do të mund t’i shkruante dramat e Shekspirit, por jon nga mungesa e talentit po nga pamundësia.  

Që nga antikiteti gratë e kanë dominuar imagjinatën njerëzore. Personazhe si Kleopatra, Desdemona, Fedra, Klitemnestra, Ledi Makbeth, Rozalina, Madam de Guermantes, Klarisa, Ana Karenina, Ema Bovari, janë personazhe të paharrueshme të letërsisë, por janë jo ekzistente në jetën reale sepse, sipas Woolf, u mungonin të ardhura dhe një dhomë veç për veten e tyre.

Përmes një analogjie me motrën e Shekspirit ajo tregon se si ishte gjendja apo pozicioni i gruas në kohën kur ka shkruar Shekspiri.

Përmes motrës hipotetike të Shekspirit ajo tregon që një grua në kohën e Shekspirit do të përqeshej dhe do t’u dukej si e çmendur për shkak të aftësisë së saj për të shkruar. Ajo shton  se një gjenialitet si ai i Shekspirit është nga ata që kalitet përmes leximeve dhe përmes njohjes së kulturave të ndryshme, gjë që një grua në atë kohë, as që mund ta paramendonte.

Teksa Shekspiri po shkruante, po lexonte Homerin e Virgjilin Motra e tij do të martohej me dhunë dhe do të kalonte nga prona e babait në pronë e burrit.

Ajo tregon se një grua poete, në kohën që ka shkruar Shekspiri do të përfundonte në një gjendje çmendie si pasojë e një shoqërie mospranuese.

Të metat e feministëve të parë      

Woolf tregon që asnjëherë nuk kanë munguar librat e shkuara nga gratë, gjithsesi e para grua jo aristokrate që shkruan është Aphra Bhen. Deri atëherë poetet ishin aristokrate, gra pa fëmijë e pa obligime familjare të cilat përfundojnë në çmendi si pasojë e paragjykimeve

Anne Finch është një nga të parat që shkruan por Woolf ka një kritikë shumë të madhe për të . ajo analizon vargjet e saja dhe thotë se janë të mbushura me frikë dhe urrejtje.

Për të, Ladi Winchilsea nuk ishte e çliruar, apo poete, ajo kishte rënë viktimë e atij mentaliteti që po mundohej t’i largohen. Për Ladi Winchilsea raca njerëzore ishte e ndarë në dy pjesë dhe për të burrat janë armiq e të urryer ngaqë kishin mundësi të bënin atë që ajo donte të bënte më shumë se gjithçka tjetër, të shkruajë.

Woolf shton që zjarri i poezisë digjej këndshëm brenda saj por poezia e saj vuan nga inati që mbante brenda vetës.

Pastaj lexon veprat e Margaret Cavendish, filozofja angleze e cila ishte Dukeshë e Newcastle dhe thotë se të dyja janë njësoj, veprat e të dyjave janë shpërfytyruar dhe deformuar nga e njëjta kauzë dhe e njëjta urrejtje. Woolf thotë se është mëkat që një grua e cila e ka dhuntinë e të shkruarit, mendja e të cilës reflekton bukurinë e natyrës të izolohet dhe të shfaq veç zemërim dhe hidhërim në poezitë e saj. Të njëjtën e thotë edhe për Charlotte Brontë. Në veprat e saj vazhdueshmëria ndërpritet dhe ajo fillon të shkruajë për vete në vend se të shkruajë për karakteret e saj. Ajo hyn në luftë veç me veten e saj, e vuan përmes “Jane Eyre”.

E vetmja nga shkrimtaret e asaj kohe, që provon që gratë mund t’i mbushnin gjepat me anë të shkrimeve, e që i bën vajzat e reja të shkojnë te prindërit e t’u thonë: “Unë nuk kam nevojë për ju, unë mund të fitoj para nga shkrimet e mia”, ishte Aphra Behn. Ajo e fillon epokën ku gratë shkruanin e përkthenin klasikët e nuk kishin nevojë të fshiheshin pas një emri mashkullor si George Eliot apo të konsideroheshin të mangëta veçse shkruanin si në rastin e motrës hipotetike të Shekspirit. Këtu fillon të shkruhet letërsia e vërtetë dhe të largohet gjitha ajo urrejtje dhe zemërim që po e shkatërronte letërsinë. Mbi të gjitha fillon periudha ku edhe gruaja e klasës së mesme merrej me shkrime. Gratë fillojnë të përkthejnë e të shkruajnë ese mbi klasikët e dramat e Shekspirit që e shtyjnë t’i shkruajë kryeveprat e veta, ngaqë ajo e kishte kuptuar që kryeveprat e letërsisë nuk janë të vetmuara, por rezultat i mendimit kolektiv ku eksperienca e gjitha kohërave bashkohet pas një zëri të vetëm.

Traditën e Aphra Behn e vazhdon Jane Austen e cila shkruan pa urrejtje, pa inat apo frikë, pa protestë e pa predikuar këtë apo atë. Gratë mësuan se si shkruhet letërsia e vërtetë.

Woolf i shtynë shkrimtarët, jo veç gratë, të shkruajnë “të shurdhët” ndaj normave shoqërore, pa u inatosur apo penguar nga ato. Kurse për kritikët sugjeron që të mos ta fus “kritiken e seksit”  brenda kritikës letrare.

Eseja vazhdon doke trajtuar librat e bashkë kohanikëve të saj dhe ndër to merr librin e një shkrimtareje të re, Mary Carmichael, ku gjen një qasje komplet të re të relacioneve mes karaktereve, bile është tamam ky libër që e shtyn ta shkruaj veprën “Orland”. Deri atëherë gratë ishin parë veç në lidhje me burrat apo në lidhje më botën, por jo në lidhje me njëra-tjetrën. Për shembull ajo pyet se pse te “Antony and Cleopatra” ndjenja e vetme që shpreh Cleopatra ndaj Octavia oshtë xhelozia. Ajo tregon se letërsia do të ishte më e kompletuar sikur marrëdhëniet mes grave të mos ishin thjeshtuar vetëm në një emocion të thjesht.

Në novelat e shekullit XIX këto marrëdhënie bëhen më komplekse. E gjitha kjo fillon kur dy gjinitë njohin perspektivën e gjinisë tjetër duke lexuar veprat e tyre. Letërsia i mëson njerëzit, siç evidentohen edhe në shkrimet e Prust, se njohuritë e meshkujve për femra janë po aq të mangëta sa ato të femrave për meshkuj, prandaj janë trajtuar me kaq thjeshtësi.

Poetët janë androgjen!

Pavarësisht që ajo e vërën dallimet mes dy gjinive, nuk bën dallim mes shkrimtarëve femra dhe meshkuj duke thënë që një mendje tërësisht mashkullore ose tërësisht femërore nuk mund të krijojë. Për të mendja e poetëve është androgjene ku ana femërore dhe mashkullore ko-ekzistojnë së bashku. Për Woolf është gjynah që njëra gjini apo tjetra të provojnë të shkruajnë apo të jetojnë si tjetra pasi mendja e androgjenen ua lejon t’i transmetojnë emocionet pa pengesa, është qenësisht kreative, e zjarrtë dhe e pa shpërqendruar. Është lloji më i zhvilluar i mendjes që nuk mendon për gjinitë si të ndara. Mendja e Shekspirit ishte angrogjene

Woolf tregon që në rast se një shkrimtar shkruan veç me anën, qoftë femërore qoftë mashkullore vepra e humbet aftësinë e universalitetit. Dhe nëse një vepër e humbet aftësinë e universalitetit, pavarësisht sa fuqishëm e qëllon sipërfaqen nuk mund të jetë pjesë e kujtesës së përhershme.

Njëjtë si Shekspiri janë edhe Keates, Sterne e Coleridge. Shelley ka mund të ketë qenë pa gjini,  kurse Milton e Tolstoy ishin më shumë mashkullor. Prust ishte tejet androgjen, në mos më shumë femëror. Për të në letërsi është fatale që një shkrimtar të jetë thjesht një burrë apo një grua. Është fatale që shkrimtarët të mendojnë për gjininë, ata duhet të jenë “Femër-mashkullore” apo “Mashkull-femëror”. Duhet të ekzistojë njëfarë “intimiteti femër-mashkull” brenda mendjes, para se fjalët të dalin në letër, sepse gjithë ky rivalitet mes gjinive e ka më së paku vendin në letërsi. Gjetja e palës inferiore dhe e asaj superiore apo “e mira” dhe “e keqja” nuk duhet të jenë pjesë e letërsisë.