Teatri ynë nën kthetrat e politikës

Kultura March 27, 2018 - 11:32

Fjala “Teatër” nga greqishtja mund të përkthehet si “të shikosh”, e sot ky emërtim përdorët për vendin ku në një skenë nga artistët rrëfehet një ngjarje. Nëpër histori, roli i teatrit, si medium i artit, ka evoluar, por ai mbetet një nga institucionet bazë të kulturës. Madje zhvillimi i teatrit merret edhe si barometër i zhvillimit të një shoqërie.

Data 27 Mars shënon Ditën Ndërkombëtare Të Teatrit. Nëpër botë për nder të kësaj dite jepen shfaqje dhe bëhen lexime të mesazheve për artin skenik. Po kjo ditë tek ne teatrin e gjen në një pozitë plotësisht të palakmueshme. Ndërsa aktorët e teatrit në Tiranë, përkatësisht ata të Teatrit Kombëtar, përballen me mbrojtjen e objektit të tyre, të cilin Qeveria shqiptare ka vendosur që ta rrënojë, pa përfillur rolin historik të tij, Teatri Kombëtar i Kosovës, si për ironi, mu këtë ditë ka mbetur pa drejtorin e tij, regjisorin e njohur Agim Sopi, i cili arriti që këtë teatër ta bëjë funksional dhe ta nxjerr me sukses edhe në arenën ndërkombëtare. Kjo edhe është dëshmia më e mirë se teatri vërtet pasqyron më së miri gjendjen e një shoqërie.   

Regjisori Jeton Neziraj thotë për gazetën “Zëri” se edhe pse nuk e ka vazhdimisht vëmendjen që e meriton, roli i teatrit në botë, por edhe në Kosovë, është i pazëvendësueshëm.

“Fakti që teatri sot është shpesh në qendër të debateve të ndryshme, kudo në botë, në Kosovë, në Hungari, Amerikë, Poloni apo Kroaci, dëshmon që roli i tij është i pazëvendësueshëm. Teatri nuk e ka vazhdimisht vëmendjen që e meriton, por ai megjithatë, ia del të jetë ndoshta mediumi artistik më relevant, më kredibil dhe më emancipues në shumicën e shoqërive në botë”, thotë Neziraj. Ai tutje përmend disa debate që u organizuan së fundi si rezultat i disa projekteve teatrore.

“Vitin që e lamë pas debati për dhe rreth teatrit ka vluar në shumë vende të botës. Njëjtë ka qenë edhe në Kosovë. Debatet që teatri ka prodhuar vjet në Kosovë janë për mua debatet më substanciale dhe më të rëndësishme që kanë ndodhur përgjatë krejt vitit. Ato debate kanë prekur aspekte relevante të shoqërisë kosovare, të emancipimit dhe zhvillimit të saj. Kjo është ajo ana e ndritur e teatrit në Kosovë, ndërkohë që pjesa e errët e teatrit lidhet me shantazhet politike ndaj teatrit, me përpjekjet e shtetit për censurë, me politizimin dhe zhveshjen e institucionit të teatrit nga autonomia e veprimit dhe krijimit si dhe me mbështetjen e vogël financiare që i jepet teatrit në nivel vendi. Në këtë kontekst, problemi kryesor me të cilin unë besoj se është duke u ballafaquar teatri në Kosovë, është autonomia e veprimit dhe krijimit artistik”, përfundon dramaturgu Neziraj.

Regjisorën Zana Hoxha – Krasniqi e shqetëson fakti se përkundër që vërehet interesim i të rinjve për teatro në Kosovë, teatrot e vogla të qyteteve nuk po përkrahen mjaftueshëm. Ajo thekson se teatri mbetet një nga mediumet më të rëndësishme në mbarë botën.

“Teatri ende mbetet një nga mediumet më të rëndësishme në mbarë botën. Përveç inspirimit dhe edukimit, teatri është edhe një platformë për të ngritur zërin rreth padrejtësive politike dhe shoqërore. Në Kosovë kemi rikthim të interesimit për Teatrin dhe në veçanti nga të rinjtë. Megjithatë situata në teatrot komunale, nga mungesa e përkrahjes buxhetore, është shumë e keqe. Përveç Teatrit Kombëtar që përkrahet financiarisht mjaftueshëm nga MKRS, teatrot tjera janë afër falimentimit. Ndërsa skena e pavarur e ka një përkrahje simbolike nga shteti”, thotë Krasniqi.

Sipas regjisorit Ben Apolloni, gjendja e teatrove në Kosovë nuk do të jetë e mirë deri sa të respektohet plotësisht Ligji për teatrot.

“Gjendja e teatrove të Kosovës nuk është e mirë dhe nuk do të jetë e mirë derisa nuk do të përfillet Ligji për teatrot. Shumica e teatrove në Kosovë menaxhohen keq dhe kjo ndodhë, sepse ose nuk kanë fare drejtor e këshilla drejtuese (e që ligji i obligon që t’i kenë këto organe drejtuese), por edhe kur kanë drejtues, shumica janë njerëz që i emërojnë për ‘merita’ partiake e jo pse janë menaxherë të mirë, apo artistë të mirë”, shprehet Apolloni.

Dita Botërore e Teatrit filloi të shënohej në vitin 1961 nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit (ITI). Kjo ditë festohet çdo vit në 27 Mars nga Qendrat ITI dhe nga bashkësia ndërkombëtare teatrore. Për këtë datë organizohen ngjarje të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Një nga më të rëndësishmet është qarkullimi i Mesazhit Ndërkombëtar të Ditës Botërore të Teatrit nëpërmjet të cilit me ftesë të ITI, një figurë botërore ndan reflektimet e tij ose të saj për teatrin.

Image