“Martesa” vazhdon të shfaqet në arenën ndërkombëtare

“Martesa” vazhdon të shfaqet në arenën ndërkombëtare

Kultura mars 10, 2018 - 12:15

Filmi “Martesa”, i regjisores Blerta Zeqiri, po vijon rrugëtimin e suksesshëm. Pas prezantimin premierë në Estoni dhe shfaqjes para publikut shqiptar, ky film po shkon edhe më tej.

Regjisorja Zeqiri ka njoftuar se filmi i saj “Martesa”, do të shfaqet më 10 mars në Amsterdam të Holandës, si dhe për tri ditë me radhë në një nga festivalet që mbahet në Pragë të Çekisë.

“E lumtur që ‘Martesa’ do të shfaqet në Prague International Film Festival FEBIOFEST në këto data: 18.03.2018 ora 17:00, 19.03.2018 ora 14:30 dhe 20.03.2018 ora 21:30”, ka shkruar Zeqiri në rrjetin social Facebook.

Ky film na jep një trekëndësh dashurie. “Martesa” flet për një çift në të tridhjetat, Bekimi (Alban Ukaj) dhe Anita (Adriana Matoshi), të cilët po planifikojnë martesën, por në anën tjetër shfaqet edhe Noli (Genc Salihu), me të cilin Bekimi kishte qenë në lidhje kohë më parë. Zeqiri sjell pra një histori që ka të bëjë me situatën e komunitetit LGBT në vend. Këto raste asaj i pëlqen t’i quajë “Roemo e Xhulieta të shoqërisë kosovare”.