Buzmi shqiptar, ritual pagan apo i krishterë?
Pal Shtufi
Me aq sa kam parë e përjetuar ritualin e Buzmit që behët në natën e Krishtlindjes, kam ardhur në përfundim se ai është një ritual pagan, por i gërshetuar dhe i natyralizuar me festën e Krishtlindjes. Sidoqoftë, në botën Perëndimore, ky ritual nuk njihet. Madje kur u kam rrëfyer njerëzve për këtë ritual, ata kanë shfaqur habi dhe kërshëri, për të pa e përjetuar diku në ndonjë familje shqiptare ku ai ende praktikohet.
Më poshtë, po mundohem ta përshkruaj në formë sa më origjinale ritualin e Buzmit ne familjen time, deri në vitin 1979, i cili, pothuajse ishte i njëjtë në tërë familjet katolike të Rrafshit të Dukagjinit.
Prerja e Buzmit në mal. Festa e Kshnellave ka qenë dhe vazhdon të jetë festa më e madhe dhe më e rëndësishme te të krishterët. Për këtë festë, përgatitjet kanë filluar që në pjesën e parë të dhjetorit. Asgjë nuk i lihej rastësisë. Gjithçka me plan, me ritual e përkushtim maksimal shpirtëror.
Me 24 dhjetor, dikush nga meshkujt e shtëpisë (zakonisht dy e me shumë), shkonim në mal për ta prerë Buzmin prej drurit të bungut (zakonisht prenim trung bungu t ri me ca piptha në te), si dhe gllinë (bredhin). Personalisht nuk mbaj mend të kemi pasur Kshnella pa borë, prandaj shkuarja në mal fitonte edhe një përjetim të veçantë nga ai peizazh i bardhë.
Sapo e siguronim Buzmin dhe gllinë, ktheheshim të lumtur në shtëpi dhe i vendosnim te vendi ku na kishte udhëzuar nana – gjithsesi jashtë shtëpisë. Paraprakisht i rregullonim: duke ia gdhendur Buzmit një kryq në mes dhe duke qenë të kujdesshëm për pipthat (buzmat, që simbolizonin ripërtrirjen), si dhe duke e ndarë gllinë në pjesë më të vogla.
Kur errej, djali më i vogël i shtëpisë, merrte detyrën për ta futur Buzmin në shtëpi (një kohë kam qenë unë e dikur u rrit vëllai i vogël, Bitri dhe ai e mori këtë detyrë).
Druri i Buzmit, vendosej mbi supe te djalit më të vogël dhe mbi supet e një vëllai tjetër ose të motrave. Trokisnim në derë dhe nga ana tjetër na përgjigjej baba ose nana, me mirëseardhje, por edhe me pyetjen "me çka po na vjen?" Përgjigjja jonë e mësuar përmendësh ishte: "Po vijmë me dhên e dhi, me djem e çika e me tana t’mirat e zotit".
Sapo na jepej shenja se mund të vazhdonim, ia dorëzonim babës Buzmin, i cili, pastaj e merrte një copë glli dhe e fuste ne zjarr dhe gllija kërciste e ne të gjithë një zëri: "Gacë e karricë (karricë-masë bereqeti)"
Përgatitja shpirtërore. Për natën e Buzmit, pra për natën e Krishtlindjes, siç thash, përgatitjet fillonin pothuajse që në fillim të dhjetorit. Së pari ishin përgatitjet shpirtërore. Nana, kryesisht na edukonte që të jemi paqësorë e të dashur gjatë gjithë jetës, por në veçanti ajo na përgatiste që nata e Buzmit të jetë sa ma e shenjtë dhe paqësore, për njerëz, kafshë dhe bimë. Natyrisht se këto ishin edhe porosi kishtare, por kur ato na i thoshte nana, nga ne fëmijët, kjo porosi pranohej pa ma të voglin kundërshtim. Ndërsa mua, elementi paqësor më ka mbetur si kujtimi më i fuqishëm i tërë këtij rituali.
Paqe me njeriun, me kafshët dhe me bimët. Ja si ndërtohej kjo trini paqësore. Përveçse në kishë, nana na porosiste që gjatë këtyre festave nuk guxonim të mendonim keq, nuk guxonim të shanim e as t’ i merrnim inat dikujt edhe nëse ai dikushi bënte padrejtësi ndaj nesh. Pastaj, nuk guxonim të silleshim keq me kafshë, përkundrazi, ato duhej të ushqeheshin nga ne, sepse “ato edhe Krishti i kishte dashur” (sipas Biblës kafshët i gëzohen lindjes së Krishtit). Me një fjalë, gjatë kësaj feste duhej të mbizotëronte trinia paqësore e përcjellë me dashuri – me çdo kusht.
Karakteristikë ushqimore kanë qenë: gruri i zier, pite me arra, peshku dhe vera e kuqe. As sot, nuk e di arsyen pse, mishi dhe produktet e tij ishin të ndaluara natën e Kshnellave, edhe pse mendoj se ndoshta mungesa e mishit ishte element që dilte gjithashtu nga trinia paqësore: njeriu, kafsha dhe bima. Ndërsa, vera e kuqe si dhe rakia, përdoreshin në masë shumë të vogël, sigurisht për ta ruajtur paqen, e cila ishte baza filozofike e shpirtërore e kësaj feste.
Vera e kuqe na vinte nga vreshtarët e Rahovecit, të cilët kanë qenë të dashur dhe korrekt. Ardhja e tyre tek dera, ishte paralajmërim i hershëm dhe i hareshëm për ne - në mes të dhjetorit. Venën e burrave e provonte baba, kurse atë të grave (shirë i thoshin) e provonte nana, por edhe ne fëmijët, sepse ishte e butë dhe e ëmbël.
Ende sot më kujtohen rahovecjanët me fytyrat e tyre kuq si gacë. Si fëmijë më linte përshtypje kjo veçanti e tyre, por kurrë nuk e dija pse ata kishin fytyra të kuqe si gacë. Më vonë, në burgun e Prizrenit (1984), këtë sekret ma pati treguar Rexhep Pista, një burrë zotni, i cili më pati thënë se vreshtarët e konsumojnë verën dhe rakinë pothuajse tërë ditën, prandaj u rrinë fytyrat e kuqe.
Dikush nga prindërit edhe njëherë kujdesej që të jenë ushqyer të gjitha kafshët, pa dallim. Pastaj, shtrohej tryeza jonë me të gjitha ushqimet e përgatitura. Asgjë nuk lihej pa u sjellë në tryezë. Sapo të ishim tubuar të gjithë në tryezë, baba e fillonte uratën: "Ati ynë, që je në qiell, bukën tonë të përditshme falna sot…"
Dhe zakonisht darka zgjaste shumë, sepse bisedohej gjatë. Pasi mbaronim darkën, tryeza mbetej e shtruar deri në mëngjes. Arsyeja ishte e thjeshtë: le të ushqehen edhe ata që ne nuk i shohim e as nuk i njohim, por që diku ekzistojnë…
Pas darke, baba e këndonte një këngë kishtare, që i kushtohej lindjes së Krishtit, këngë që e mësonim në kishë e cila kishte një melodi shumë të veçantë. Kur afrohej mesnata, kush dëshironte shkonte në kishë.
Të nesërmen në mëngjes, njëri nga prindërit e shtronte lamen. Lama zakonisht bëhej me kashtë dhe në formë rrethi, të cilit i bëhej një kryq në mes, po ashtu me kashtë, e në mes të kryqit vendosnin Buzmin me një copë glli.
Me ketë edhe përfundonte rituali i Buzmit, por festa e Kshnllave vazhdonte edhe tre ditë tjera. Pra, pas natës së parë, festa nuk është më vetëm familjare, por edhe shoqërore, sepse fillonin vizitat te njëri-tjetri.