Secila nga ne jemi një Layla

Kultura August 14, 2017 - 08:34

Nëse pyesim se çfarë muzike i intrigon njerëzit e një fushe tjetër arti, siç është letërsia, sot një perspektivë personale na jep poetja e re, Flutur Mustafa. Në rubrikën javore të gazetës “Zëri”, “Rrëfej përmes muzikës”,  autorja e librit me poezi “Na dy”, që mori vëmendje të madhe sivjet në Panairin e Librit në Prishtinë, na tregon se cilat këngë janë në top-listën e saj muzikore.

Kaçurrelja

Kjo këngë është një ndër këngët e preferuara të miat për vetë faktin që jam vetë kaçurrele dhe se grupin “Gjurmët” e kam dëgjuar dhe vazhdoj ta dëgjoj me ëndje, përkundër faktit se unë s’isha e lindur kur “Gjurmët” kanë pasur kohët e arta. Ma kanë kushtuar disa herë, prandaj e rendita të parën.

Piano e vjetër

Edhe pse nuk jam muzikante dhe asgjë nuk më lidh me instrumentet muzikore, këngën “Piano e vjetër”, të interpretuar nga Mariza Ikonomi e ndjej në çdo qelizë. Një nga arsyet se pse veçoj këtë këngë është interpretimi i Marizës, fuqia vokale dhe teksti. E kam dëgjuar si fëmijë në Festivalin e RTSH-së dhe gjithmonë më ka dhënë një ndjesi plot pozitivitet.

Fati ynë shpresë dhe marrëzi

Kjo këngë edhe pse 20 vjeçare, edhe sot mbërthen në vete emocione të veçanta, të cilat nën interpretimin e Aurela Gaçes marrin forma hyjnore. E veçoj këtë këngë, sepse mendoj se secili nga ne e kemi dikë qe na bën të jemi herë engjëj, herë djaj por mbi të gjitha kjo këngë jep edhe mesazhin e ruajtjes së fëmijës brenda vetës, duke i dhënë  përparësi dashurisë, duke mënjanuar kështu krenarinë. 

Dream On

Këtë këngë e kam dëgjuar në moshë të vogël edhe deri para disa viteve nuk është se kam arritur t’ia kuptoj thelbin. Dua të theksoj një pjesë të tekstit që unë e kam edhe moto jetësore “You got to lose to know how to win” , sepse nganjëherë humbja na bën të mësojmë ëmbëlsinë dhe vlerën e fitores. Besoj te fuqia e ëndrrave dhe se sa të rëndësishme janë ato në rrugëtimin tonë. Të sigurta i kemi vetëm ëndrrat andaj le të ëndërrojmë. Ka disa versione që më pëlqejnë dhe që i dashuroj, mirëpo më i preferuari ngelet ai i “Aerosmith”.

Layla

Layla, Layla. Është një këngë që Eric Clapton e interpreton në mënyrën më të përkryer të mundshme. Secila nga ne është një Layla që dëshiron t’i kushtohet qoftë  një varg, këngë apo thjeshtë t’i kushtohet pak kohë.

You Give Love A Bad Name

Të gjithë ne besoj se e kemi dikë që na bën të urrejmë dashurinë, sado e pamundur mund të duket. Kjo këngë më bën që t’ia rikujtoj vetës kujdesin e shtuar në veprat e mia në raport me personat e tjerë, sepse shumë lehtë mund të  personifikohemi si versioni më i keq i dashurisë dhe si personi i fundit për t'u dashuruar.

My Kind Of Love

Të gjithë dashurojmë, në një mënyrë apo në tjetrën. Kjo këngë me motivon që në momentet më të vështira t’iu qëndroj afër njerëzve që i konsideroj të shpirtit dhe t’iu fal atyre mënyrën time të së dashuruarit apo thjesht eliminimin e dyshimit nëse mund të ekzistojë dikush tjetër në mes meje dhe atyre. Emeli Sande ka një shpirt të veçantë dhe zëri i saj përcjell dhimbjen, ndjenjë të cilën unë e shprehi vetëm me vargje.

I’m Not The Only One

Kjo këngë flet për zhgënjimin. Jam zhgënjyer disa herë në jetë. E më gjeni dikë që nuk është zhgënjyer! Mirëpo gjithmonë jam munduar që  të mos zhgënjej dikë, e sidomos në një lidhje të caktuar. Por nganjëherë nuk jemi të vetmit dhe si rrjedhojë heshtim dhe pranojmë realitetin e hidhur. Sam Smith, nuk jemi të çmendur. Thjeshtë nuk arrijmë gjithmonë të kontrollojmë çmendurinë.

Can’t Help Falling In Love

Edhe pse origjinalin e çan Elvis Presley, mua ma ushqen shpirtin versioni i Chris Isaak. Sa do të mençur që mund t’ia mbajmë vetës që jemi, në fund të ditës nuk mund të kontrollojmë ndjenjën. Disa gjëra janë thjeshtë të destinuara që të ndodhin dhe në asnjë mënyrë nuk bën t’i ndrydhim apo t’i mohojmë.

Rrjedh në këngë e ligjërime

S’ka pra si Shqipëria ime. Vaçe Zela e vulosi këtë këngë përjetë në zemrat tona. Pas origjinalit, me shumë kërshëri e dëgjoj versionin e Eugent Bushpepës. Është një këngë e cila të ushqen zemrën me dashurinë për atdheun. Jetojmë në një kohë ku në mendje kemi vetëm si të largohemi nga vendi ynë, e kjo këngë mua personalisht më bën të reflektoj sa herë e dëgjoj./Zeri/