Sonte mbyllet 'PriFilmFest', u shfaqën të gjithë filmat

Kultura July 20, 2017 - 08:51

Që nga 13 korriku e deri më sot (20 korrik) Prishtina u bë qendër ku u mblodhën shumë filmbërës, vendorë e ndërkombëtarë, për t’i shfaqur filmat e tyre dhe për të marrë pjesë në edicionin e nëntë të festivalit “PriFilmFest”, që kësaj here u mbajt në korrik, shkruan "Zëri".

Të mërkurën u shfaqën nëpër kinematë e vendosura në Prishtinë edhe filmat e fundit të këtij edicioni, që solli rreth 80 filma në programe të ndryshme. Shtatë premiera botërore, pastaj tri premiera ndërkombëtare, tri premiera evropiane, njëzet e dy premiera regjionale, kurse të tjerat ishin premiera kosovare.

Filmat u shfaqën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kino “ABC”, Amfiteatrin e Muzeut Kombëtar dhe në kinemanë e hapur në sheshin “Zahiri Pajaziti” në Prishtinë.

LEXO EDHE: 'Alumbrar (las 1001 novias)', dokumentari i ish të dashurave

Sivjet në “PriFilmFest” erdhi edhe regjisori dhe fituesi i dyfishtë i çmimit “Oscar”, Paul Haggis, të cilit festivali në ceremoninë përmbyllëse do t’ia ndajë çmimin “Hyjnesha e Artë”.

Përveç filmave, në “PriFest” kishte edhe shumë muzikë, ku në kuadër të “PriAfters” netët e festivalit u mbyllën me muzikantë, DJ e performanca muzikore të zhanreve të ndryshme. /ZËRI/