Kujtohet Anton Pashku

Kultura May 18, 2017 - 12:09

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdanika", ka zënë vend një ekspozitë me libra e dorëshkrime të  shkrimtarit të mirënjohur, Anton Pashku. Aty po ekspozohen edhe shkrime nga revistat e gazetat e asaj kohe, që përmendin autorin.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me një konference shkencorë shënoi 80-vjetorin e lindjes së këtij autori, të cilin të gjithë referuesit e vlerësuan lart.

“Kur ftuam studiuesin Sabri Hamiti të na fliste për Pashkun, u frikësuam se mund të na thoshte se ‘Unë jam tani në një fushë tjetër të leximit, në një ishull tjetër’, por ai e pranoi kërkesën duke na kujtuar se Pashku është autor që lexohet gjithë jetën, autor që ndryshon pas çdo leximi. Kur bibliotekarët kërkuan për gazetat dhe revistat e për artikujt e Pashkut, gjetën Pashkun gazetar, redaktor dhe shkrimtar”, tha në fjalën e tij të rastit drejtori i BK-së, Fazli Gajraku.

Tutje drejtori Gajraku shtoi se rikthimi në kujtesë i Anton Pashkut është punë e përbashkët e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

“Bibliotekat duhet t’i nxjerrin dorëshkrimet e autorit në mënyrë që lexuesi t’i shoh, bashkë më fotografitë, audiot e incizimet”, theksoi ai.

Në anën tjetër, Persida Asllani, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, tha se duke ju përgjigjur gjithnjë e më tepër kërkesave të një shoqërie moderne bibliotekat po marrin rolin e një akteri të rëndësishëm në shërbimin e dijës, informacionit dhe promovimin e vlerave kulturore.

“Dy bibliotekat tona, prej kohësh e zhvillojë këtë mision fisnik, shpesh edhe në misione të përbashkëta. Ne disa herë në vit mendojmë dhe punojmë si një bibliotekë e vetme. Vepra e De Radës, Kadaresë, Rugovës, Kokalarit dhe sot ajo e çmuara e Anton Pashkut, na kanë shtyrë natyrshëm drejt një sipërmarrjeje të tillë”, theksoi Asllani.

Tutje ajo kujtoi se si u njoh me Anton Pashkun si lexuese e re dhe për formën se si ky autor pritej në Shqipërinë e asaj kohe. Ajo foli gjithashtu për mënyrën në të cilën Pashku lexohet atje edhe sot.

“ ‘Dje e varrosëm plakën, e tash jam i etshëm, gotën e ujit nuk e shoh në komodinë’. Kjo është fjalia ime e parë e Pashkut, kur unë gjimnaziste në Gjimnazin ‘Ismail Qemaili’, në Tiranë, lexoja ditën e diele tregimin ‘Kulla’, në gazetën ‘Drita’, në vitin 1990. Si shumë të tjerë, kuptova pak, por e çmova shumë. E ruajta për vite me radhë atë fletë gazete si diçka të vyer, si një dokument arkivor që më vërtetonte se si mund të shkruhej modernja në gjuhën shqipe. Për Pashkun nuk flitej ende në Tiranë, por pëshpëritej shumë, natyrisht pa e lexuar askush prej nesh. Më pas u fol më shumë e më fort, por sërish u lexua pak. Ende sot që flasim, leximet pashkiane mes Tiranës dhe Prishtinës ndryshojnë fort mes tyre. Do të doja që ky ndryshim të ishte çështje subjektesh e leximesh rituale, personale shijesh, e jo kolektive. Një nga qëllimet e kësaj konference sot dhe asaj që do të zhvillohet si vijim në vjeshtë, në Tiranë, është pikërisht tejkalimi i kësaj vështirësie”, theksoi drejtoresha Asllani.

Një nga njohësit më të mirë të veprës së Anton Pashkut, studiuesi Sabri Hamiti, e cilësoi atë si tregimtarin më të mirë shqiptar të kohës.

“Antoni për sot është tregimtari më i madh shqiptar. Gjuha letrare e veprës së tij të fundit ka shpërthim të brendshëm apo të jashtëm. Karakterizimi struktural e mikrostruktural i prozës së tij është fragmentimi i tekstit. Ky synon të kthej diskursin në figurë, në elementaritet, ku ndjesitë e veçanta duken fragmentet dhe paragrafët. Në raport me kohën kjo merr trajtën ‘dje’ e ‘nesër’ me ‘sot’ në mes, për të treguar kohën e artikulimit. Në raport me vendin kjo merr trajtën ‘kudo’ e ‘gjithkund’, me ‘këtu’ në mes si vend i zgjedhur i artikulimit. Në raport me individualitetin, krijuesin, kjo merr trajtën e ‘jetës’ e ‘mbijetesë”, theksoi Hamiti.

Në këtë konferencë shkencore referuan edhe Brunilda Tahiri, Anton N. Berisha, Gazmend Krasniqi, Erenestina Halili, Besim Rexhaj, Arian Krasniqi, Albanë Mehmetaj e Agron Gashi. E pranishme në këtë konferencë ishte edhe e bija e shkrimtarit.

Anton Pashku lindi më 8 janar të vitit 1937 në Grazhdanik (katund afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin , nga Karashëngjergji (katund pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). Kishte të kryer shkollimin e mesëm - Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja.

Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Pashku vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995. /ZËRI/