Luana e vogël, artiste e madhe në Paris

Kultura August 12, 2016 - 08:07

Luana këto ditë ndodhet tek gjyshja e saj në fshatin Pleshinë të Ferizajt. Pleshina njihet si fshat i gështenjave, por njihet edhe për faktin se nga këtu ka dalë aktori i madh Ljuba Tadiq. Luana nuk ka dëgjuar përpara për këtë, ndaj bëhet kureshtare të di sa më shumë për aktorin nga fshati i lindjes së nënës së saj Valbonës, e cila me përkushtim të jashtëzakonshëm përcjellë zhvillimin e së bijës prej artisteje.

Luana Bajrami-Rrahmani është vetëm 15 vjeç. Ka lindur në qytetin Creteil të Francës, vetëm 12 kilometra larg Parisit. Ndjek mësimet në klasën e 11 falë inteligjencës së saj të jashtëzakonshme, e cila i ka ndihmuar që të avancohet për dy vite shkollore dhe në këtë mënyrë ta kalojë gjeneratën e saj. Luana që nga mosha 6 vjeçare ka filluar të merret me teatër. Deri tash ishte pjesë e teatrit në qytetin e saj të lindjes, ndërsa tash pret të kalojë në Paris në teatrin “Cours Florent”, për të vazhduar shkollimin e saj prej aktoreje.

Jo vetëm në Francë, por edhe më gjerë, u bë e njohur kur kishte 11 vjet dhe kur kishte fatin që në një konkurrencë të madhe të fitonte në audicionin për filmin e metrazhit të gjatë “Zgjedhja e Adelit” (Le Choix D’Adelei). Duke folur për Gazetën Zëri ajo thotë se në këtë film ka luajtur rolin e një refugjateje, karshi një mësueseje franceze me një histori të dhembshme. Meqë Launa flet pak me vështirësi gjuhën shqipe, ajo vazhdimisht kërkon ndihmën e nënës së saj, Valbona Bajrami, e cila të bijën e përcjellë në çdo hap të zhvillimit të saj prej aktoreje. Nëna e saj thotë se ky film me Luanën në rolin kryesor ende vazhdon të shfaqet jo vetëm nëpër kinematë e Francës, por edhe nëpër botë.

“Filmi është bërë edhe më aktual dhe më i shkueshëm tash pas problemeve të shumta me refugjatët në Francë”, thotë nëna e Luanës, Valbona, e cila kujdeset që vajzën e saj aktore ta sjellë për çdo vit në Kosovë, në mënyrë që atdheun e saj ta ndjen si të vetin.  

Pas këtij roli të realizuar me shumë sukses Luana ka pasur shumë kërkesa nga regjisorë të ndryshëm. Ajo pastaj është angazhuar në tre filma të metrazhit të shkurtër. Siç thotë edhe vetë Luana Bajrami-Rrahmani, ajo për angazhimin e saj në këto filma është paguar mirë. Luana tregon se si vazhdimisht angazhohet në role kryesore, madje edhe në film, edhe në teatër.

Ajo tregon se tash këtë vit ka mbaruar filmin e saj të pestë, përkatësisht filmin e saj të dytë të metrazhit të gjatë. Në fakt ky është një film televiziv, premiera e të cilit pritet të jepet në Festivalin e njohur ndërkombëtar të filmave televiziv La Rochelle, në Francë. Sipas nënës së saj Valbonës, për ta fituar rolin kryesor në këtë film, Luanës i është dashur të përballojë një konkurrencë të fortë mes rreth 300 fëmijëve francezë. Për filmin e saj më të ri “Marion 13 vjet përgjithmonë”, Luana thotë: “Filmi ka të bëjë me një histori e vërtetë dhe shumë tronditëse. Fjala është për një vajzë e cila vazhdimisht torturohet nga shoqet e saj të klasës. Kjo e ka detyruar të bëjë vetëvrasje. Pastaj nëna e saj ka shkruar një libër në formë autobiografie për të, në bazë të të cilit edhe është bërë skenari. Filmi pritet të jepet jo vetëm nëpër televizione, por edhe nëpër shkolla, sepse libri për Marion ka ngjallur interesim të madh tek lexuesit”

Ndërsa nëna e Luanës, Valbona, shton se tash kur është dëgjuar se po bëhet film për fatin e kësaj vogëlusheje, libri ka nisur të shitet edhe më shumë. Regjisor i këtij filmi është Bourlem Guerdjou.

Luana pos filmit dhe teatrit është dashamire e madhe edhe e muzikës. Ajo krahas angazhimit në teatër, nga mosha 6 vjeçare, ka nisur të ushtrojë edhe në bateri. Ajo thotë se ka një bend të vogël, me të cilin shfaq koncerte nëpër festa të ndryshme. Nga muzika më shumë i pëlqen rryma e rokut dhe xhazit.

Kur e pyesim se ku ndjehet më mirë dhe më e suksesshme, në film a në teatër, Luana e vë gishtin në kokë dhe thotë: “Pyetje shumë e zorshme kjo. Ndjehem mirë njësoj, sepse të dyja i dua shumë”

Jo vetëm për gjuhën e nënës, të cilën nuk e zotëron mirë, Luana ndjehet keq që nuk din kaq pak edhe për kulturën tonë. “Unë flas me vështirësi, sepse nuk e di gramatikën e gjuhës shqipe. Gjuhën shqipe e kam mësuar nga nëna dhe nga njerëzit kur vij këtu në Kosovë. Kisha dashur të di më shumë për kulturën që krijohet këtu në Kosovë, por nuk ka lajme për këtë. Unë di veç për sportin dhe pak për muzikën, ndërsa për filmin dhe teatrin që zhvillohet këtu nuk di asgjë”, thotë Luana, e cila me kureshtje shikon trupën e aktorëve të teatrit “Adriana” në Ferizaj, të cilët presin para dyerve të teatrit për t’i filluar provat.  

“Do të doja shumë që të përcjell një ushtrim të trupës këtu”, thotë Luana, ndërsa regjisori Fatmir Hyseni e fton me kënaqësi.

Luana e pranon se i pëlqen të pushojë në fshatin piktoresk të Pleshinës. Thotë se i pëlqen mënyra e organizimit të jetës dhe veçmas pamjet me kuaj, të cilët përdoren për punë të fshatit. I vjen vështirë ta thotë, por problemi me bërllokun që kemi ne kudo e neveritë shumë.

Luana pret shumë nga filmi i saj i fundit dhe ka dëshirë që këtë film, me një histori të dhembshme shumë, ta shohin edhe njerëzit në Kosovë, veçmas nxënësit dhe prindërit e tyre.

Ndoshta një ditë, më shumë se për gështenja dhe më shunmë se për Luba Tadiqin, Pleshina do të bëhet e njohur me Luana Bajramin. Gjasat për këtë janë reale, sepse mbështeten në talentin e saj të padiskutueshëm dhe në suksesin e madh që ka arritur deri tash kjo vogëlushe.