Mashtrim me prona në vlerë mbi 300 mijë euro, Prokuroria e Ferizajt aktakuzë ndaj shtetases së Maqedonisë së Veriut

Mashtrim me prona në vlerë mbi 300 mijë euro, Prokuroria e Ferizajt aktakuzë ndaj shtetases së Maqedonisë së Veriut

Kronika November 19, 2026 - 11:01

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, lidhur me shitjen e pronave në Kosovë përmes autorizimeve të falsifikuara.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se ka përdorur një autorizim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga xhaxhai i saj, për të shitur pronat e tij në Kosovë.

“Me dashje ka vënë në lajthim organin kompetent në një çështje të pavërtetë për të shërbyer si provë në çështjen ligjore që gjykata të vendos për të drejtën e pronësisë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, një nga rastet ka të bëjë me mashtrimin e një personi të dëmtuar, i cili kishte paguar shuma të ndryshme për blerjen e pronës përmes bankës Raiffeisen, në llogarinë e të pandehurës. Më vonë, ai kishte kuptuar se ajo nuk kishte autorizim të vlefshëm për shitjen e pronës.

“Me këto veprime e pandehura i ka shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarit në vlerë prej 200.000 eurove”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkaq, në një rast tjetër, gjatë vitit 2018, e pandehura dyshohet se kishte mashtruar një blerës tjetër përmes të njëjtit autorizim të falsifikuar, duke lidhur një parakontratë për shitblerjen e pronës në vlerë prej 170 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, nga ky rast të dëmtuarit i është shkaktuar dëm pasuror në vlerë prej 120 mijë eurosh.

Po ashtu, dokumentet e dyshuara si të falsifikuara ishin përdorur edhe në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku ishte marrë aktgjykim për njohjen e së drejtës së pronësisë mbi disa parcela në zonën kadastrale Petroviq, në komunën e Shtimes.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën ta shpallë fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit.