Arrestohet zyrtari policor që keqtrajtoi një të arrestuar në Kaçanik, rekomandohet suspendimi i tre të tjerëve

Arrestohet zyrtari policor që keqtrajtoi një të arrestuar në Kaçanik, rekomandohet suspendimi i tre të tjerëve

Kronika November 19, 2026 - 09:53

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor në Kaçanik, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, pas një incidenti që kishte ndodhur më 17 nëntor në fshatin Kaçanik i Vjetër.

Sipas njoftimit të IPK-së, rasti kishte ndodhur pas orës 15:00, kur një patrullë policore me katër zyrtarë kishte arrestuar dhe prangosur një qytetar në oborrin e shkollës së fshatit, transmeton Zeri.info.

Nga hetimet fillestare dyshohet se njëri prej policëve kishte tejkaluar autorizimet ligjore, duke përdorur forcën edhe pasi qytetari ishte prangosur. Si pasojë, qytetari kishte pësuar lëndime trupore.

Pas arrestimit, qytetari ishte dërguar në stacionin policor, por sipas IPK-së, zyrtarët policorë nuk e kishin njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.

Më pas, qytetari ishte liruar, ndërsa ndaj tij ishte shqiptuar një tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.

Zyrtari policor i arrestuar dyshohet për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Me vendim të prokurorit kompetent, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

IPK-ja ka bërë të ditur se ndaj të njëjtit zyrtar kishte pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të jenë relevante në kuadër të hetimeve.

Ndërkohë, Inspektorati Policor i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit të arrestuar, si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë që ishin të përfshirë në këtë rast.

IPK-ja ka theksuar se hetimet po vazhdojnë në kuadër të mandatit të saj ligjor, me qëllim të trajtimit të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës dhe tejkalim të autorizimeve policore. /Zëri