Nga një muaj paraburgim ish-ministrit Haraqija dhe 5 të tjerëve të dyshuar për trafikim droge, çka thanë në seancë?
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës, Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se masa e paraburgimit u caktua nën dyshimin se gjashtë të pandehurit kanë kryer veprën penale të shitblerjes së narkotikëve, si dhe të pandehurit Haraqija edhe për armëmbajtje pa leje.
Aktvendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake, Gazmend Bahtiri pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
Në seancë dëgjimore, prokurori Arben Hoti ka thënë se qëndron pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se hetimet e nisura në prill 2026 zbuluan se grupi i organizuar kriminal udhëhiqej nga Jeton Stanovci i njohur si “Daja”.
Prokurori thuhet se deklaroi që grupi furnizohej me substanca narkotike përmes Mërgim Stanovcit, Astrit Haraqijës dhe Alban Malokut, kurse lënda ndahej në një banesë dhe më pas shpërndahej përmes Gëzim Fekës, Arijanit Beqirit dhe Albert Krasniqit, i cili thuhet se zëvendësoi Beqirin për shkak të dyshimeve të ngritura nga lideri i grupit.
Hoti ka thënë se furnizimet dhe barazimet financiare bëheshin në baza javore nën evidencën e rregullt të Jetonit, ndërsa paratë dërgoheshin përmes anëtarëve të grupit ose të pandehurës Xhemajli-Ramadani.
Në vendim thuhet se i pandehuri Jeton Stanovci ka kundërshtur kërkesën për paraburgim, duke thënë se në 4-5 pronat e tij, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Edhe mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj e kundërshtoi në tërësi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se nga kontrollet nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në lokacionet e të mbrojturit të tij.
Kërkesën për paraburgim e kundërshtoi edhe i pandehuri Gëzim Feka dhe mbrojtësi i tij, avokati Besim Abdullahu. Ky i fundit tha se nuk plotësohen kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe se nuk specifikohen veprimet individuale të të pandehurit.
Në anën tjetër, Arjanit Beqiri thuhet se deklaroi se e kundërshton kërkesën e Prokurorisë për paraburgim dhe premton se do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës. E avokati i tij, Blerim Hertica tha se kërkesa për paraburgim është e tepruar dhe e pabazuar.
Edhe e pandehura Albana Xhemajli-Ramadani dhe avokati i saj Driton Musliu kundërshtuan kërkesën për paraburgim. Avokati tha se kjo masë është e padrejtë, jashtëzakonisht e rëndë dhe pa mbështetje ligjore në raport me veprimet e të mbrojturës së tij.
Kurse, Astrit Haraqija deklaroi se e kundërshton plotësisht kërkesën për paraburgim, duke theksuar se në të kaluarën i është përgjigjur gjithmonë ftesave të gjykatës dhe Policisë, duke premtuar se do t’i përgjigjet edhe në të ardhmen, duke shtuar se është 54-vjeç. Për armën, ka thënë se i ka skaduar leja.
Edhe avokati i tij, Korab Bokshi e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë duke thënë se nuk i përmbush kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e saj. Propozoi që kërkesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar ose eventualisht t’i caktohet ndonjë masë më e butë alternative e paraparë me KPPRK.
I pandehuri Alban Maloku kundërshtoi po ashtu kërkesën për paraburgim dhe kërkoi masë më të lehtë alternative. Premtoi se nuk do t’i pengojë hetimet, nuk do të ndikojë e as nuk do të largohet nga Kosova, duke përmendur se do t’i përgjigjet ftesave të autoriteteve.
Avokati i tij, Ilir Ramaj po ashtu kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se është e përgjithshme dhe nuk specifikon veprimet individuale të të mbrojturit të tij.
Por, Gjykata vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar dhe se masat tjera alternative nuk konsiderohen të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.
Dosja e Prokurorisë ndaj ish-ministrit Haraqija dhe të tjerëve të arrestuar në aksionin kundër trafikimit të kokainës
Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës, Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, sipas së cilës, të pandehurit Jeton, Gëzim, Arjanit, Baftije, Albana, Astrit, Mergim, Albert dhe Alban, dyshohen se më parë e në vazhdimësi deri më 14 nëntor 2026, në zona të ndryshme të territorit të Prishtinës, si anëtarë të grupit, në bashkëpunim edhe me persona tjerë ende të paidentifikuar, duke i ndarë rolet mes vete, me dashje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, pa autorizim në kundërshtim me Ligjin për Barnat Narkotik, posedojnë, dorëzojnë, shesin dhe shpërndajnë substancë narkotike të llojit kokainë.
Sipas kërkesës, i pandehuri Jeton si kryesues i grupit, pasi që furnizohej me narkitikë nga të pandehurit, Mërgim (i cili ndodhet në arrati), Astrit dhe Alban, ku narkotikun fillimisht e ndanin me sasi të vogla e më pas ato sasi i pranonte Gëzim Feka, më pas sasinë e narkotikut të llojit kokainë Feka e mban një sasi vetë dhe një sasi ua jep dy anëtarëve tjerë Arjanit Beqirit dhe Albert Krasniqit, të cilët më pas substancën e tillë të ndarë në sasi të vogla e shpërndajnë tek personat tjerë, duke e shitur në doza të vogla, përmes veturave të marra me qira.
Kurse, e pandehura Baftije Feka, thuhet se kishte rol të ruajtjes së sasive të tilla të cilat i shiste bashkëshorti i saj Gëzimi, po ashtu mbante paratë e shitjeve.
Ndërkaq, për të pandehurën Albana thuhet se duke qenë edhe bashkëjetuese me të pandehurin Jeton, kishte rol të mbledhjes së parave të shitjes nga Gëzimi, Arijaniti dhe Alberti, ku kryesisht çdo të diele bënin barazimin e pagesave për sasitë e shitura dhe shpërndara, si dhe furnoheshin me sasi të rregullta për shpërndarje të mëtutjeshme javore.
Me këto, thuhet se si anëtarë të grupit dyshohen se kanë kryer veprësn penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.2 dhe neni 275, par.1, pika 1.1., 1.6., dhe 1.,9 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Në anën tjetër, i pandehuri Astrit Haraqija dyshohet se nga koha e pavërtetuar e deri më 15 nëntor 2026, në banesën e tij, me dashje e në kundërshtim me Ligjin për mbajtjen e armëve, ka poseduar një pistoletë, të cilën Policia gjatë bastisjes e gjeti dhe sekuestroi, bashkë me karikator dhe gjashtë fishekë. Për armën në fjalë, i pandehuri nuk kishte leje nga organi kompetent.
Me këtë, Haraqija dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, fillimisht hetimet nisën për shitblerje të narkotikëve për të pandehurit Jeton Statovci, Gëzim Feka dhe Arjanit Beqiri, si dhe personave NN. Më pas, u autorizuan masat e veçanta, si rezultat i të cilave u idenfitikuan edhe të pandehurat Albana Xhemajli dhe Batfije Feka, kundër të cilave më 22 maj 2026 u mor aktvendim i ndryshuar përshtatshmërisht për fillimin e hetimeve, kurse më 27 korrik u mor aktvendim për zgjerimin e hetimeve edhe kundër Albert Krasniqit e Mërgim Stanovcit.
Prokuroria thekson se më 14 nëntor 2026, filloi zbatimin e kontrolleve dhe si rezultat i provave të grumbulluara, ka rezultuar me dyshimin e bazuar për përfshirjen edhe të të pandehurve Astrit Haraqija dhe Alban Maloku, për të cilët më 15 nëntor 2026 u lëshua aktvendim për zgjerimin e hetimeve.
Prokuroria vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke përfshirë: ekzistimin e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, rrezikun e arratisjes, rrezikun e asgjësimit/ndryshimit të provave dhe ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Në kërkesë thuhet se nga zbatimi i masave të veçanta, shihet se i pandehuri Jeton Stanovci del nga objekti banesor, në të cilin banon edhe Astrit Haraqija e në cilin Jetoni, Mergimi dhe Astriti takoheshin duke përgatitur substancën narkotike të cilën thuhet se sillet Mergimmi, dhe aty e ndanin në sasi të vogla, më pas të njëjtën ia jepnin Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje.
Sipas kërkesës, në banesën e të pandehurit Haraqija krahas armës, u sekuestruan edhe para dhe dy iPhone. Po ashtu, në dokument renditen edhe gjësendet që u gjetën dhe sekuestruan në banesat e të dyshuarve tjerë, përfshirë para, telefona, vetura, etj.
Në kërkesën e parashtruar nga prokurori Arben Hoti, thuhet se masat e tjera alternative në këtë rast vlerësohen si të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.
Kujtojmë se të dielën, mbrojtësi i të pandehurit Haraqija, avokati Korab Bokshi ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se Haraqija u arrestua nën dyshimin për kontrabandim me narkotikë.
“E kanë arrestuar për veprën penale që dyshohet për kontrabandim me narkotikë. Te familja e Astritit edhe banesa e tij kanë bërë kontroll dhe nuk ka pas kurrgjë inkriminuese. Kanë sekuestruar përkohësisht disa të holla, të cilat kanë qenë kursime të fëmijëve të tij prej punës së tyre- domethënë nuk janë të Astritit fare”, tha Bokshi.
Bokshi bëri të ditur se ka paraqitur ankesë ndaj aktvendimit për ndalimin prej 48 orësh, teksa shtoi se Haraqija ka mohuar përfshirjen në këtë vepër penale.
“Sipas Astritit, nuk ka të bëjë me këtë vepër fare, për shkak se ai si figurë publike ka mundur të takohet me ndonjë person apo me pas ndonjë komunikim, por kurrë asnjëherë në lidhje me këto vepra penale ose çfarëdo natyre të tillë”, tha avokati Bokshi.
Ndryshe, Policia e Kosovës të dielën e (15 nëntorit) njoftoi se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)– Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), më 14 nëntor ka realizuar një operacion të gjerë policor të koduar “Heshtja”, në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me goditjen e një grupi të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.
Lidhur me këtë rast, në njoftim u bë e ditur se janë arrestuar gjashtë të dyshuar dhe janë sekuestruar drogë dhe asete tjera në vlerë mbi 300 mijë euro. /BetimipërDrejtësi
Sheënim: Personat e peërmendur neë keëteë artikull konsiderohen të pafajsheëm, peërvecë neëse nga gjykata veërtetohet se janë fajtoreë me vendim teë formeës seë prereë.