Protesta e Tiranës, Policia nis hetimet për 28-vjeçarin e dëmtuar në sy
Policia e Shtetit ka njoftuar se pesë punonjës policie mbetën të plagosur gjatë protestës së zhvilluar më 24 tetor në Tiranë, ndërsa kanë nisur hetimet për dëmtimin në sy të një 28-vjeçari dhe për një efektiv të dyshuar për tejkalim të detyrës.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, protesta, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes dhe u zhvillua në disa zona të kryeqytetit, u shoqërua me episode dhune ndaj punonjësve të policisë.
Policia pretendon se efektivët u sulmuan për orë të tëra me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Si pasojë e këtyre incidenteve, pesë punonjës policie u plagosën.
Në lidhje me rastin e 28-vjeçarit E. V., i cili pësoi dëmtim në sy gjatë protestës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Sipas njoftimit, hetimi synon të zbardhë plotësisht dhe në mënyrë të paanshme rrethanat e ngjarjes. Për të njëjtin rast, hetime kanë nisur edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Policia e Shtetit ka shprehur keqardhjen për dëmtimin e të riut, duke i uruar shërim të shpejtë, si edhe qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë të lënduar gjatë protestave në Tiranë.
Ndërkohë, pas publikimit në media të pamjeve ku një punonjës policie dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka respektuar parimin e proporcionalitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin nga detyra të inspektorit A. K., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Ndaj efektivit ka nisur gjithashtu një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Në përfundim të njoftimit, Policia e Shtetit thekson se mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim parësor, ndërsa çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm.
Institucioni nënvizon se respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore.