Gjykata e Tiranës liron 10 protestues

Gjykata e Tiranës liron 10 protestues

Kronika October 22, 2026 - 18:18

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e tetë personave të ndaluar gjatë protestave në kryeqytet, duke urdhëruar lirimin e tyre të menjëhershëm.

Sipas vendimit të gjykatës, të shpallur sot, më 22 tetor, për dy protestues të tjerë u caktua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, ndërsa arrestimi i tyre u vlerësua i ligjshëm.

Dhjetë personat ishin nën hetim për vepra penale që lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme, si dhe kundërshtimin e punonjësve të Policisë së Rendit Publik. Për disa prej tyre, hetimi përfshinte edhe akuza të tjera.

Gjykata shqyrtoi kërkesat e Prokurorisë për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimeve në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurimit personal. Në përfundim, ajo pranoi pjesërisht kërkesat e organit të akuzës.

Për personat ndaj të cilëve u caktua detyrimi për paraqitje, vendimi parashikon paraqitjen të hënën e tretë të çdo muaji, në orën 10:00, pranë oficerit të Policisë Gjyqësore të seksionit të Prokurorisë në Tiranë.

Sipas njoftimit të Gjykatas së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit të tij./atsh