I zhdukur që nga korriku, Policia kërkon sërish ndihmë për gjetjen e Xhafer Raqit
Policia e Kosovës ka kërkuar sërish bashkëpunimin e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948, i cili është raportuar i zhdukur më 2 korrik 2026 në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë.
Sipas Policisë, që nga raportimi i rastit, janë ndërmarrë veprime të shumta hetimore dhe operative, në koordinim me prokurorinë kompetente, Njësitin për Kërkim-Shpëtim të FSK-së dhe në bashkëpunim me familjarët.
Veprimet përfshijnë intervistimin e personave që mund të kenë informacione të rëndësishme, verifikimin e hyrje-daljeve në pikat kufitare, kërkimet në zonat që ai frekuentonte zakonisht, si dhe analizimin e informacioneve lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e mundshme të tij.
Megjithatë, pavarësisht angazhimit të institucioneve, Xhafer Raqi ende nuk është gjetur.
Pas autorizimit nga prokurori i Shtetit, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e tij, t’i raportojnë ato në numrin emergjent 192 ose përmes adresës elektronike [email protected].
“Çdo informacion, sado i vogël që mund të duket, mund të jetë i rëndësishëm për lokalizimin e personit dhe ndihmën ndaj familjes së tij”, theksohet në fund të njoftimit.