Një 20-vjeçar plagoset aksidentalisht me armë zjarri në Ferizaj, Policia jep detaje
Një 20-vjeçar është plagosur me armë zjarri në një parking në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit 2026.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 03:40, pasi i riu ishte plagosur dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.
"Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarët e stacionit policor në Ferizaj. Më pas, në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit policorë dhe zyrtarët e Forenzikës Rajonale, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe kanë mbledhur dëshmitë e nevojshme për të sqaruar rrethanat e rastit", thuhet në njoftimin e PK-së, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë:
Me datën 26.09.2026, rreth orës 03:40, policia në Ferizaj është njoftuar se në një parking në rrugën “12 Qershori”, në Ferizaj, një person ishte plagosur me armë zjarri dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.
Njësitet policore të stacionit policor në Ferizaj, më pas edhe hetuesit së bashku me Forenzikën Rajonale, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimin e vendit. Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
Nga veprimet e para hetimore dhe këqyrja e pamjeve nga kamerat e sigurisë, dyshohet se personi i plagosur, derisa ishte duke lëvizur në parking, ka rrëshqitur dhe gjatë rënies i është shkrepur arma e zjarrit, të cilën dyshohet se e kishte në çantën e tij, duke e plagosur veten në këmbë.
Pas trajtimit fillestar në Emergjencën e Ferizajt, i plagosuri F. J., 20-vjeçar, është dërguar në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
Gjatë kontrollit të çantës së të lënduarit, përveç armës së zjarrit, është gjetur edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike, marihuanë. /Zëri