Dyshohen se vodhën mijëra euro, dinarë e zinxhirë ari në Leposaviq, arrestohen tre persona
Sot në veri janë arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhjen e rëndë që ishte raportuar dje në Leposaviq.
Policia ka identifikuar katër të dyshuar dhe njëri prej tyre mbetet në arrati.
“Më datën 20.08.2026, në Stacionin Policor në Leposaviq është raportuar rasti ‘Vjedhje e rëndë”’. Bazuar në deklarimin e ankuesit, person/a të panjohur kishin depërtuar në shtëpinë e tij dhe nga aty kishin vjedhur 12,000 euro, 40,000 dinarë, si dhe dy zinxhirë ari. Rasti kishte ndodhur në kohën kur në shtëpi nuk ndodhej askush”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Pas pranimit të informacionit, rasti ka kaluar për trajtim dhe hetim tek Njësia Rajonale e Hetimeve Mitrovicë Veri. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative, si dhe bashkëpunimit me qytetarët policia ka arritur që, brenda një kohe të shkurtër, të identifikojë katër persona të dyshuar në lidhje me rastin”.
“Prej tyre, tre persona janë arrestuar, ndërsa një person i dyshuar vazhdon të jetë në kërkim nga Policia”.
“Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë realizuar kontrolle në adresat e banimit të personave të arrestuar: N.V. (2006), i arrestuar në fshatin Borovë, Leposaviq. Gjatë kontrollit, tek i njëjti është gjetur një fishek për pistoletë; N.L. (2007), i arrestuar në Leshak, Leposaviq. Gjatë kontrollit, tek i njëjti janë gjetur 5,300 euro, të cilat dyshohet se janë para të përfituara nga rasti; Të dy këta persona, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë; ndërsa, personi i tretë i arrestuar, D.M. (2009), është liruar në procedurë të rregullt”.
Policia ka kërkuar që nga qytetarët “që të tregojnë kujdes të shtuar dhe kur largohen nga shtëpitë e tyre, të sigurohen që ato të jenë nën përkujdesjen e ndonjë familjari apo personi të besueshëm”.