Fehim Sali dërgohet në paraburgim për një muaj, dyshohet për spiunazh

Fehim Sali dërgohet në paraburgim për një muaj, dyshohet për spiunazh

Kronika August 14, 2026 - 16:38

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Fehim Salit, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Vendimin e ka marrë më 14 gusht gjyqtari i procedurës paraprake, Kushtrim Shyti, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktvendimit, paraburgimi do të llogaritet nga 13 gushti 2026, kur Sali ishte arrestuar, dhe do të zgjasë deri më 13 shtator 2026.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se Sali ka hyrë në shërbim informativ të huaj, ka mbledhur të dhëna për të ose në ndonjë mënyrë tjetër ka ndihmuar punën e këtij shërbimi, veprime që parashihen si forma të veprës penale të spiunazhit.

Sipas gjetjeve të gjykatës, hetimi ndaj Salit është iniciuar pas një informacioni të pranuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) më 20 qershor 2025, lidhur me aktivitetin e dyshuar të tij dhe lidhjet me Shërbimin Informativ të Serbisë – BIA.

Në aktvendim thuhet se Sali dyshohet se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Zhelimir Matoviç, të njohur me nofkën “Zheljko”, të cilin AKI e ka identifikuar si zyrtar të BIA-s që nga viti 2002.

Gjykata thotë se, sipas provave të paraqitura nga Prokuroria, Sali dyshohet se i ka ofruar Matoviçit informacione për situatën politike në Kosovë, ka ndërmarrë veprime për identifikimin dhe fotografimin e zyrtarëve të AKI-së, ka ofruar të dhëna për persona të caktuar dhe ka propozuar persona si objektiva të mundshëm për kontaktim ose rekrutim nga BIA, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, sipas aktvendimit, ai dyshohet se ka ndërmjetësuar për çështje dhe dokumente të lidhura me institucionet e Serbisë, si dhe ka mbajtur kontakte me persona me ndikim politik e shoqëror në Kosovë dhe Serbi.