Varroset Isuf Hoxha, iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh
Isuf Hoxhës, të cilit iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh, varroset sot (e shtunë) në orën 17:30 në Varrezat e dëshmorëve në Shtime.
Isuf Qerim Hoxha ishte arrestuar më 22 janar 1999 nga forcat serbe, ndërsa familja kishte humbur çdo kontakt me të që nga dita e arrestimit.
Pas transferimit në disa burgje, ai u dërgua në Burgun e Dubravës, ku më 22 maj 1999 u vra gjatë Masakrës në Burgun e Dubravës. Pas 27 vjetësh pritjeje dhe ankthi, mbetjet e tij mortore u gjetën dhe u identifikuan.
Një ditë më parë, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u mbajt mbledhje komemorative në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së Isuf Hoxhës .
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, vlerësoi lart jetën dhe veprimtarinë e Isuf Qerim Hoxhës, duke theksuar se ai ishte një ndër kontribuuesit dhe mbështetësit e rëndësishëm të luftës çlirimtare deri në arrestimin e tij në janar të vitit 1999. Ai foli për angazhimin e Isuf Hoxhës gjatë viteve ’90, për kontributin e tij në shërbim të luftës çlirimtare si dhe ndau kujtime në veçanti nga takimi i fundit në Burgun e Dubravës.
“Liria që e gëzojmë sot nuk është dhuratë. Ajo është fituar me gjak, me sakrificë dhe me kontributin e shumë burrave e grave të këtij vendi. Isuf Qerim Hoxha është njëri prej tyre, i cili dha gjithçka për lirinë e Kosovës”, tha kryetari Kastrati, duke i shprehur familjes ngushëllimet më të sinqerta në emër të Komunës së Malishevës dhe në emrin e tij personal.
Kryetari Nismës, Fatmir Limaj, vlerësoi kontributin dhe veprimtarinë e Isuf Hoxhës, duke theksuar se ai kishte kryer detyra të rëndësishme për organizimin dhe mbështetjen e luftës çlirimtare deri në arrestimin e tij.
“Isufi nuk ishte vetëm një i burgosur, por një rob lufte, ashtu si shumë luftëtarë të tjerë të UÇK-së. Historia e tij është dëshmi e sakrificës së madhe për lirinë e vendit dhe njëkohësisht kujtesë për dhimbjen e mijëra familjeve që ende presin zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”, u shpreh Limaj, duke i shprehur familjes ngushëllimet e tij.
Ndërsa, në emër të kryetarit të Komunës së Shtimes, Anita Kurti u shprehu ngushëllime familjarëve dhe vlerësoi lart kontributin e Isuf Qerim Hoxhës në luftën çlirimtare.
Në fund të mbledhjes komemorative, në emër të familjes, mbesa e Isuf Qerim Hoxhës, Erolinda Hoxha, falënderoi Komunën e Malishevës, institucionet dhe të gjithë pjesëmarrësit për organizimin e mbledhjes komemorative dhe për mbështetjen e treguar ndaj familjes në këtë moment të rëndë.