Tre të arrestuar për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me prona në vlerë mbi 1.5 milionë euro

Tre të arrestuar për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me prona në vlerë mbi 1.5 milionë euro

Kronika July 30, 2026 - 19:36

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, pas një hetimi të zhvilluar nga njësitë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë siguruar prova dhe informacione që dyshohet se dëshmojnë për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme zyrtare.

“Të dyshuarit meshkuj kosovarë dyshohet se kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, si pasaporta, letërnjoftime, certifikata etj., me ç’rast dyshohet se i kanë përdorur si dokumente të vërteta”, thuhet në njoftimin policor.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë tentuar që përmes dokumenteve të falsifikuara të kryejnë shitblerje të paligjshme të tokave, me qëllim përfitimin e shumës prej 1 milion e 550 mijë eurosh.

Policia dyshon se në këtë rast janë kryer veprat penale “bashkëkryerja”, “ndihma”, “mashtrimi” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.

Tre të dyshuarit janë intervistuar më 30 korrik 2026 në cilësinë e personave të dyshuar, në prani të avokatëve mbrojtës. Pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Rasti vazhdon të hetohet nga organet kompetente. /Zëri