Kontrabandë në veri, sekuestrohen cigare dhe automjete
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare të Bërnjakut, pas një operacioni të zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Sipas policisë, veprimet operative janë ndërmarrë pas pranimit të informatave për aktivitete të dyshuara të kontrabandimit në këtë zonë.
Gjatë operacionit, zyrtarët policorë kanë lokalizuar një automjet të tipit Audi me targa të huaja, i cili ishte i ndaluar, pa drejtues dhe dyshohet se përdorej për kontrabandim. Pas kontrollit të një objekti dhe hapësirës përreth, janë gjetur dhe sekuestruar 5,550 boksa cigaresh të markave të ndryshme, si dhe 19 paketa cigaresh të tjera që dyshohet se ishin kontrabanduar.Në lidhje me këtë rast, një person është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Në një rast tjetër, gjatë të njëjtit operacion, policia ka ndaluar një kamion me targa të huaja, i cili transportonte materiale metalike. Sipas njoftimit, drejtuesi i kamionit nuk posedonte dokumentacionin përkatës për ngarkesën.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallrat dhe të dy automjetet për procedura të mëtejshme, ndërsa rasti i është kaluar në kompetencë Doganës së Kosovës për trajtim të mëtejshëm.