Vrasja e Gjyljeta Ukellës, Supremja ia ul dënimin Edmond Lajqit - nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg

Vrasja e Gjyljeta Ukellës, Supremja ia ul dënimin Edmond Lajqit - nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg

Kronika July 16, 2026 - 15:45

Gjykata Supreme e Kosovës ka ndryshuar vendimin e gjykatave të shkallëve më të ulëta për rastin e Edmond Lajqit, duke ia zëvendësuar dënimin me burgim të përjetshëm me 30 vjet burgim.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, vendimi është marrë pasi është shqyrtuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit dhe përgjigjja në ankesë e përfaqësueses së autorizuar të palës së dëmtuar.

"E.L., i shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dënohet me 30 vjet burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 16 prilli 2024", thuhet në vendim.

Në pjesët e tjera, aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit kanë mbetur të pandryshuara.

Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë vërtetuar drejt fajësinë e të pandehurit dhe kualifikimin juridik të veprave penale, duke mos gjetur shkelje esenciale të procedurës penale apo të ligjit penal në këtë aspekt.

Megjithatë, Supremja vlerësoi se gjykatat nuk e kishin zbatuar drejt Nenin 41 të Kodit Penal lidhur me shqiptimin e burgimit të përjetshëm. Sipas saj, disa nga rrethanat e konsideruara si veçanërisht rënduese nuk mbështeteshin në prova, ndërsa të tjera përbënin elemente të vetë veprës penale dhe nuk mund të shërbenin si bazë për dënimin maksimal.

Gjykata theksoi se burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit.

Në këtë rast, sipas Gjykatës Supreme, ky standard ligjor nuk ishte përmbushur.

Duke u mbështetur në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit të dënimit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Supremja vlerësoi se dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit, duke përmbushur qëllimin e dënimit si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm. /Zëri