Operacion antidrogë në Kurbin e Mirditë, tre të arrestuar dhe 436 bimë kanabis të asgjësuara

Operacion antidrogë në Kurbin e Mirditë, tre të arrestuar dhe 436 bimë kanabis të asgjësuara

Kronika July 12, 2026 - 11:27

Policia e Lezhës ka goditur tre raste të kultivimit të bimëve narkotike në qarqet Kurbin dhe Mirditë, duke arrestuar në flagrancë tre persona dhe asgjësuar gjithsej 436 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Operacioni u zhvillua në kuadër të kontrolleve intensive të territorit, të kryera nga toka dhe ajri me përdorimin e dronëve, si edhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Në aksion morën pjesë shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, shkruan Euronewsal.

Në fshatin Sheshaj të Mirditës u arrestua në flagrancë 21-vjeçari Jetmir Rrucaj, banues në Durrës, i cili u kap duke u kujdesur për 222 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa të kultivuara në zonë.

Ndërkohë, në Kurbin, u arrestua 47-vjeçari Dritan Nikolli, banues në Fshat Laç, pasi u kap duke u kujdesur për 151 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Po ashtu, specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin vunë në pranga edhe 44-vjeçaren Vojsava Mercina, pasi në lagjen “Rrahu i Pashës” në Laç u zbuluan 63 bimë të dyshuara narkotike, për të cilat dyshohet se kujdesej ajo.

Të gjitha bimët narkotike të konstatuara u asgjësuan në vend me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.