Policia e Ferizajt publikon statistikat gjashtëmujore - bien vrasjet, rriten lëndimet e lehta dhe armëmbajtja pa leje
Foto: Laura Hasani

Policia e Ferizajt publikon statistikat gjashtëmujore - bien vrasjet, rriten lëndimet e lehta dhe armëmbajtja pa leje

Kronika July 07, 2026 - 11:19

Policia rajonale e Ferizajt ka publikuar statistikat për disa nga veprat penale më serioze gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, të krahasuara me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ku në shumicën e rasteve është shënuar rënie.

Sipas të dhënave, numri i vrasjeve ka rënë nga dy në një rast (-50 për qind), ndërsa lëndimet e rënda trupore kanë zbritur nga 16 në nëntë raste (-44 për qind).

Po ashtu është shënuar rënie edhe te dhuna në familje, nga 127 në 114 raste (-10.2 për qind), kanosjet nga 163 në 130 raste (-20 për qind), vjedhjet nga 218 në 150 raste (-31 për qind), vjedhjet e rënda nga 127 në 120 raste (-5.5 për qind), grabitjet nga dy në një rast (-50 për qind), si dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga 20 në 12 raste (-40 për qind).

Ndërkohë, rritje është evidentuar te lëndimet e lehta trupore, të cilat kanë kaluar nga 157 në 180 raste (+15 për qind), si dhe te posedimi ilegal i armëve, nga 45 në 50 raste (+11 për qind).

Sa u përket arrestimeve sipas autorizimeve policore, ato kanë shënuar një rënie të lehtë prej 2.7 për qind, nga 300 arrestime në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 në 292 arrestime gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti.

Policia Rajonale e Ferizajt ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, duke raportuar çdo rast në stacionet policore, përmes aplikacionit "Lajmëro Policinë" ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, duke garantuar ruajtjen e plotë të konfidencialitetit të të dhënave. /Zëri

Image