Arrestohen dy persona për kultivim të bimëve narkotike në Podujevë
\Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Podujevë, pasi u kapën në flagrancë duke u përkujdesur për një plantacion me 201 bimë të dyshuara të llojit Kanabis Sativa
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, pas dyshimeve për përfshirjen e personave të dyshuar në kultivimin e bimëve të llojit Kanabis Sativa në Podujevë, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar.
Më 6 korrik 2026, njësitë përkatëse policore kanë realizuar një plan taktik, ku janë identifikuar dhe lokalizuar dy persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, të cilët janë zënë në flagrancë duke u përkujdesur për bimët e dyshuara të mbjella në një plantacion, në sasi prej 201 copësh.
Lidhur me rastin është informuar prokurori kompetent, në konsultim me të cilin janë marrë mostra të nevojshme nga bimët e mbjella, ndërsa pjesa tjetër e tyre është shkatërruar në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, me qëllim të sigurimit të provave relevante për rastin, janë kryer dy bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ku në njërën prej tyre është gjetur një qese e vogël e mbushur me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, me peshë prej 1.7 gramësh.
Në vendngjarje është bërë fotografimi dhe konfiskimi i dëshmive të gjetura si prova materiale, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje.
