Policia jep detaje për zjarrin në ndërtesën e banimit në Prishtinë, shtatë persona u lënduan
Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me zjarrin që përfshiu një objekt banesor në Prishtinë, incident i cili mobilizoi policinë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore për evakuimin e banorëve dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Sipas raportit ditor të Policisë, rasti ka ndodhur më 27 qershor 2026, rreth orës 07:26, në rrugën "Rrustem Statovci" në Prishtinë.
Policia bën të ditur se pas raportimit për zjarrin, të gjitha njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë evakuuar banorët për të shmangur rrezikun e mundshëm.
Më pas, njësiti i zjarrfikësve ka arritur ta shuajë zjarrin.
Si pasojë e incidentit, lëndime trupore kanë pësuar tre banorë të objektit dhe katër zjarrfikës, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor. Rasti vazhdon të hetohet.
Më herët gjatë ditës, ishte raportuar se zjarri kishte përfshirë katin e sipërm dhe kulmin e një ndërtese banimi në Prishtinë, ndërsa tymi i dendur ishte i dukshëm nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit.
Për arsye sigurie, zona ishte rrethuar nga policia, ndërsa ekipet e emergjencës intervenuan për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e flakëve.