Policia e Shqipërisë ndalon shoferin e dehur në të njëjtin vend ku ditë më parë vdiqën dy fëmijë në Durrës
Një 44-vjeçar në gjendje të dehur në përpjekje për t’i ikur policisë që po e ndiqte ka përplasur automjetin e policisë në Durrës të Shqipërisë.
Patrulla ishte njoftuar për një shtetas që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në rrugët e lagjes 17, zonës së ish-Kënetës dhe është vënë në ndjekje të tij.
Po në përpjekje për ta ndaluar ai është përpjekur të ikë dhe më pas duke ecur mbrapsht ka goditur makinën e policisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm një rrugicë më tutje, asaj ku ndodhi tragjedia që i mori jetën dy fëmijëve dhe plagosi një tjetër, raporton topchanel.
Pas kësaj 44-vjeçari Rezart Abazaj, u arrestua në flagrancë dhe prokuroria po kryen veprimet procedurale ndaj tij. Ndërkohë pas testit të alkoolit rezultoi me 1.4 mg/l, dyfishin e sasisë së Nikoll Radaçit.
Ndërkaq dhe Abazaj rezulton të jetë përsëritës për veprën penale të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.
Ai qe arrestuar dhe më 5 mars të këtij viti nga policia pas një incidenti me automjet, në gjendje të dehur, në rrugën Vellazërimi, por gjykata caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje ndaj tij, duke e kthyer sërish në rrugë dhe rrezikuar jetën e përdoruesve të rrugës, përfshirë dhe të punonjësve të policisë.