Mësimdhënësja nga Ferizaj dorëzon portofolin me mbi 2 mijë euro në polici

Mësimdhënësja nga Ferizaj dorëzon portofolin me mbi 2 mijë euro në polici

Kronika May 11, 2026 - 18:44

Një qytetare nga Ferizaj ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare duke dorëzuar në polici një portofol të gjetur me para në vlerë prej 2030.85 eurosh.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, rreth orës 16:55, A. Mehmeti, 43-vjeçare dhe mësimdhënëse nga Ferizaj, ka gjetur një portofol në afërsi të rrugës “Agim Matoshi” dhe menjëherë e ka dorëzuar atë në stacionin policor në Ferizaj.

Meqenëse pronari i portofolit ende nuk ishte identifikuar, hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar kamerat e sigurisë në zonë.

Pak më vonë, në stacionin policor është paraqitur L.K., 22-vjeçare nga Ferizaj, me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila ka raportuar humbjen e portofolit.

Pas verifikimeve të kryera nga policia, pronares së ligjshme iu kthyen portofoli dhe shuma e parave prej 2030.85 eurosh.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht A. Mehmeti për gjestin human dhe shembullor, duke vlerësuar se ky veprim dëshmon nivel të lartë të përgjegjësisë qytetare dhe forcon besimin mes policisë dhe komunitetit.